E Hënë, 2 Nëntor 2026

KiE: Zgjidheni vetë krizënNga Tema UPDATE- Delegacioni i lartë i Këshillit të Europës ka deklaruar pas takimeve që ka pasur ditën e djeshme se palët duhet t’i japin fund krizës. Mevlut Cavusoglu, kreu i Asamblesë Parlamentare, tha se nxisin

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

KiE: Zgjidheni vetë krizënNga Tema

UPDATE- Delegacioni i lartë i Këshillit të Europës ka deklaruar pas takimeve që ka pasur ditën e djeshme se palët duhet t’i japin fund krizës. Mevlut Cavusoglu, kreu i Asamblesë Parlamentare, tha se nxisin dialogun e nisur nga presidenti Topi, dhe e ka përgëzuar këtë të fundit për punën e bërë. KiE ka kërkuar që të ngrihet një komision hetimor për zgjedhjet, ku shumicën ta ketë opozita. Ata kanë deklaruar se nuk janë shprehur për hapje kutish dhe kanë thënë se këto janë çështje që duhet t’i zgjidhin vetë shqiptarët. Gjithashtu, në rast se kriza do të vijojë, ata kanë kërkuar që të merret një mendim juridik dhe nga Komisioni i Venecias. Nga ana tjetër, delegacioni i KiE ka kërkuar që deputetët e opozitës të hyjnë në Kuvend jo për një ose dy seanca, por rregullisht.

Ka përfunduar pas më shumë se dy orësh e gjysëm takimi në presidencë mes delegacionit të lartë të Këshillit të Europës dhe dy drejtuesve të partive kryesore në vend, Edi Rama dhe Sali Berisha. Pas takimit presidenca ka bërë me dije se bisedimet vazhdojnë. Më poshtë njoftimi i zyrës së shtypit pranë presidentit.

“Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi u takua sërish sot pasdite me Komitetin Presidencial të Asamblesë së Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Mevlut Kavushoglu. Në takim ishin të pranishëm edhe Kryeministri i Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha dhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Në këtë takim mes personaliteteve më të larta të shtetit shqiptar dhe të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës biseda u përqendrua në tryezën politike të bisedimeve mes mazhoracës dhe opozitës, të zhvilluar nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi.

Nga ana e tyre, parlamentarët e Këshillit të Evropës të kryesuar nga Presidenti Mevlut Kavushoglu e informuan Kreun e shtetit shqiptar rreth rezultateve të takimeve të tyre të zhvilluara gjatë gjithë ditës me Kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës, Rama për të gjetur pikëtakimet e mundshme, për të afruar palët drejt një marrëveshje dhe për të zgjidhur përfundimisht ngërçin politik të institucioneve shqiptare.

Bisedimet dhe negociatat politike do të vazhdojnë nesër.”

***

Presioni i ndërkombëtarëve ndaj politikës shqiptare për zgjidhjen e krizës politike po rritet ndjeshem. Në Tiranë gjendet që prej së djelës një delegacion i nivelit të lartë të KE-së që kryesohet nga kreu i Asamblesë Parlamentare, Mevlut Cavusoglu.

Takimet kanë filluar me kreun e shtetit Bamir Topi, për të vazhduar më pas me kryetaren e parlamentit Topalli, kreun e maxhorancës dhe kryeministrin e vendit Berisha, si dhe kreun e opozitës Rama.

Ende zyrtarisht nuk ka një formulë për gjetjen e zgjidhjes së krizës, por në shtypin shqiptar prej ditësh ka mjaft spekulime. Ndërkohë të dyja palët vazhdojnë të këmbëgulin në qëndrimet e tyre të deritanishme. Socialistët kërkojnë hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve, ndërsa demokratët thonë se kjo është shkelje e ligjit.

Nga ana e tyre, ndërkombëtarët kanë paralajmëruar se kjo situatë krize do të ndikojë në proceset integruese të Shqipërisë.

Shqiptarët janë në pritje të lajmeve nga Brukseli lidhur me liberalizimin përfundimtar të vizave si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›