E Diel, 1 Nëntor 2026

Drita siguron titullin kampion

Skuadra e Dritës ka siguruar matematikisht titullin kampion të Kosovës për edicionin 2025/26, tri javë para përfundimit të kampionatit, pas fitores 2-0 ndaj rivalit direkt, Ballkanit në ndeshjen e javës së 33-të të Superligës.

Në Gjilan, Drita dominoi në momentet vendimtare dhe vulosi triumfin falë golave të Besnik Krasniqit dhe Abdoul Karim Dantes. Me këtë sukses, gjilanasit mbrojnë titullin e fituar edicionin e kaluar.

Ky është trofeu i pestë për Dritën, pas atyre të fituar në edicionet 2002/03, 2017/18, 2019/20 dhe 2024/25. Njëkohësisht, ky sukses shënon edhe titullin e pestë kampion në karrierën e trajnerit Zekirija Ramadani, i cili më herët kishte triumfuar me Trepçën ’89, Feronikelin, Prishtinën dhe tashmë dy herë me Dritën.

Përveç titullit të kampionit, Drita ka siguruar pjesëmarrjen në fazën e parë kualifikuese të UEFA Champions League. Edicionin e kaluar, gjilanasit arritën deri në play off-in e fazës nokaut të UEFA Conference League, duke dëshmuar potencialin e tyre në arenën evropiane.

Në ndeshjen tjetër që u zhvillua sot në kuadër të javës së 33-të, Drenica arriti fitore të rëndësishme në garën për mbijetesë, duke mposhtur Gjilanin me rezultat 2-1 në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

Kreshnik Uka kaloi vendasit në epërsi në minutën e 30-të, gol i konfirmuar pas rishikimit në VAR nga gjyqtari Alban Shala. Vetëm shtatë minuta më vonë, Eneid Kodra dyfishoi avantazhin e Drenicës, ndërsa për miqtë realizoi Blerind Morina në pjesën e dytë. Me këtë fitore, Drenica arrin në kuotën e 44 pikëve dhe tashmë është në rrugë të mirë për ta siguruar qëndrimin në elitën e futbollit kosovar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›