Dritan Dajti: Prej 2 vitesh po më mohojnë edhe ajrimin

Dritan Dajti në gjyq
Dritan Dajti, i akuzuar si vrasës i katër policëve më 7 gusht 2009 në Durrës, kërkon të njihet me rezultatet e vizitave mjekësore që i janë bërë pas kërkesës së tij për t’iu nënshtruar operacionit për heqjen e plumbit që mban në trup.Ai pretendon se nuk ka dalë në ajrim, që pas ditës së arrestimit në vitin 2009. Njëkohësisht, i pandehuri i Gjykatës për Krimet e Rënda pohon se nuk i është lejuar të marrë në qeli disa masazhime për gjymtyrët e tij. Këto pretendime i janë paraqitur pak ditë më parë drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra, nëpërmjet një kërkese që mban në fund edhe emrin e të pandehurit, Dritan Dajti. Lajmi u konfirmua nga mbrojtësi ligjor i të pandehurit Dajti, avokati Asaf Hadëri. Sipas avokatit, kërkesa në fjalë iu është bërë me dijeni edhe ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit, Komitetit Shqiptar të Helsinkit, si edhe Përfaqësuesve të të Drejtave të Njeriut në Tiranë. Sipas avokatit Hadëri, kërkesat e paraqitura nga i pandehuri Dajti nuk janë privilegje, por të drejta legjitime të përcaktuara në ligj dhe në Rregulloren e Përgjithshme të Burgjeve.
KËRKESAT
Kërkesa në lidhje me pretendimin e të pandehurit për t’iu nënshtruar një operacioni, radhitej e para në shkresën e dërguar numrit një të Drejtorisë së Burgjeve. “Kemi kërkuar disa herë shkresërisht të na vini në dispozicion gjithë dokumentacionin e ekzaminimeve mjekësore që i janë bërë këtij shtetasi, lidhur me kërkesën e tij për t’ju nënshtruar operacionit dhe heqjen e plumbit, por deri më sot në nuk kemi marrë asnjë dokument që bën fjalë për sa sipër, megjithëse ju kemi dërguar edhe dy shkresa për këtë fakt”, thuhej në kërkesë. Në vijim, nga ana e avokatit pretendohej se klienti i tij nuk ishte nxjerrë asnjëherë në ajrim. “Kemi kërkuar që shtetasi Dritan Dajti të dalë në ajrim, mbasi ka që nga data 07.08.2009, kohë kur është arrestuar dhe deri më sot viti 2011 nuk është nxjerrë asnjëherë në ajrosje, si të gjithë të arrestuarit e tjerë, por vazhdon të mbahet i privuar nga të drejtat e garantuara me ligj”, pohohej në vijim të kërkesës. Në të njëjtën kërkesë, avokati Hadëri pohonte moslejimin e klientit të tij për të mbajtur një mjet masazhimi dhe një paterice në qeli. “Kemi kërkuar të na lejohen një mjet masazhimi për rehabilitimin e muskujve të gjymtyrëve, të cilat rrezikohen t’i atrofizohen nga mosfunksionimi i tyre, si dhe një patericë me katër këmbë për të mundësuar lëvizjet dhe kryer nevojat personale. Këto mjete i kemi siguruar me shpenzimet tona, por deri më sot nuk kemi asnjë përgjigje nga ky institucion”, pretendohej nga mbrojtësi i Dajtit.
Shkak per nderprerje
Gjendja shëndetësore e të pandehurit Dritan Dajti është shkaku kryesor i ndërprerjes në mes të seancave të tij në Gjykatën për Krimet e Rënda. Në pjesën më të madhe të seancave, Gjykata shtyn seancën me kërkesë të të pandehurit, pasi ky i fundit pretendon se “nuk ndihet mirë dhe se kërkon ndërprerjen e seancës”. Dajti shoqërohet në Gjykatë mbi një karrocë si ato të tetraplegjikëve.
Armand Bajrami