Kadri Hazbiu: Gabimet e Mehmet Shehut dhe Beqir Ballukut

Çaste nga zhvillimi i procesit gjyqesor ndaj kadri hazbiut dhe bashkepunetoreve te tij, ne vitin 1983
Jo të gjithë martirët dhe heronjtë janë viktima të okupatorit dhe tradhtarëve. Ka ndër ta që janë vrarë pas shpine nga komunistët, madje edhe nga liderët e tyre! Pohimi tronditës i Kadri Hazbiut para hetuesve Shkëlzen Bajraktari e Thoma Tutulani në vjeshtën e vitit ’82, shënon dëshminë e parë zyrtare mbi një aspekt të panjohur të Luftës Nacionalçlirimtare.
I shtrënguar për të treguar mbi bëmat e ish-liderëve të regjimit të shpallur tradhtarë e puçist, ish-ministri më jetëgjatë i Policisë sekrete, detyrohet t’i thërrasë kujtesës e të risjellë nga thellësia e viteve ngjarje e ndodhi që penalizojnë për pabesi e kurthe monstruoze pjesën e kastës të rrëzuar tashmë nga pushteti. “Jam sinjalizuar, pohon ndër të tjera Hazbiu, se Abdyl Këllezi ishte personi që tradhtoi Xhezmi Dellin”. Në vijim, ato çfarë di për Mehmet Shehun, Koci Xoxen, Beqir Ballukun, Fadil Pacramin, Liri Belishovën, Gjin Markun, Liri Gegën etj., mundohet t’i shtjellojë rast pas rasti, duke u përkujdesur të shmangë përgjegjësinë që episode të tilla ia ka fshehur Partisë. Në procesverbalet e Hetuesisë, pasqyruar në librin e studiuesit Kastriot Dervishi, “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij”, zbardhen mjaft ngjarje e detaje që plotësojnë profilin e historisë misterioze të krerëve të regjimit dhe mekanizmin represiv të Sigurimit të Shtetit, që nuk kurseu as figurat historike të tij. Në këtë numër botojmë deponimet e Hazbiut për raportet e liderëve të regjimit në periudhën e luftës dhe vitet e para të çlirimit, fakte e dëshmi dramatike nga rivalitetet e përplasjet që pasuan me goditje të befta e deri në tragjedi të tmerrshme
27.10.1082
Pyetje: Na thoni i pandehur, me cilët persona keni punuar në Degën e Sigurimit të Ushtrisë në vitet 1945 – 1948?
Përgjigjet: Unë të gjithë nuk i mbaj mend, por kujtoj se kam punuar me Teme Sejkon që e kam pasur edhe shef, me Llambi Peçinin me Ilo Kolën që ka qenë sekretar, Zyhdi Agën, që ka qenë referent dhe më duket edhe me Farudin Jahon.
Pyetje: Po me Ali Kubatin keni punuar bashkë i pandehur?
Përgjigje: Unë nuk mbaj mend që Ali Kubati të ketë punuar në Degën e Sigurimit të Ushtrisë dhe nuk kujtoj që me të, të kem pasur ndonjë punë të përbashkët të Sigurimit.
Pyetje: Cilët nga personat, me të cilët keni punuar bashkë në periudhën 1945 – 1948, kanë ngritur problem për moszbatimin e vijës së partisë dhe të normave, në kohën kur u bënë analizat në Parti në frymën e Plenumit 11-të të K.Q të Partisë?
Përgjigje: Mua nuk më kujtohet që ndonjë nga shokët e mi të ketë bërë kritika për mua, në atë kohë për problemet që më pyesni. Mbaj mend që Farudin Jaho është ankuar se unë nuk e trajtoja mirë dhe nuk ia çmoja punën që bënte. Nga persona të tjerë më është ngritur në konferencën e partisë të garnizonit të Tiranës nga shoku Shefqet Peçi, sikur unë e kisha në përpunim dhe bile në mbledhje ai më pyeti ku e kisha dosjen e tij. Unë i thashë që për këtë të pyeste në K.Q të Partisë. Qëndrimi që mbajta unë në atë kohë për këtë problem u quajt i drejtë nga partia.
29.10.1982
Pyetje: A keni ndjekur me porosi të tradhtarit Koci Xoxe dhe të keni vënë në përpunim personalitete të Partisë e të shtetit?
Përgjigje: Unë nuk di që të kem ndjekur dhe të kem vënë në përpunim ndonjë personalitet partie ose shteti. Dua të them se ka patur vetëm informacione me karakter survejimi dhe me sa më kujtohet, në adresë të Kadri Hoxhës apo Hulusi Spahiut që lidheshin me marrëdhëniet ndaj misioneve të huaja.
30.10.1982
Pyetje: Cilët ishin ata persona që kishin kryer veprime trockiste në kohën e Koci Xoxes dhe mbas kthesës së Partisë vazhduan të punojnë në Sigurimin e Shtetit”
Përgjigje: Në atë kohë u bënë kritika të forta për personat që punonin në organet e Sigurimit që kishin kryer veprime trockiste, por në mënyrë të veçantë që të dalloje persona konkret, mua nuk më kujtohet
Pyetje: Ç’dini për arrestimin dhe dënimin e Isuf Keçit. A kini marrë pjesë në hetimin e zhvilluar me këtë person në atë kohë. Ç’qëndrim ka mbajtur, a ka implikuar persona nga komplotistët e dënuar më vonë?
Përgjigje: Isuf Keçi është arrestuar mbas vetëvrasjes së Niazi Islamit që e kishte kunat, si bashkëpunëtor në veprimtari antiparti me të dhe që në fund u krijua alarmi se ky është arratisur. Arrestimin e tij e kam bërë unë, duke e thirrur nga zyra, në një kohë kur kërkohej në drejtim tjetër. Kjo çështje është hetuar dhe i përket kohës kur ministër ishte Mehmet Shehu. Në hetimin e tij nuk më kujtohet që të kem marrë pjesë, sa kam dëgjuar ai ka mbajt në hetim qëndrim të mirë. Di që Isuf Keçi ka dhënë për elementët antiparti, ndërsa për komplotistët nuk di gjë.
Pyetje: Gjatë hetimit ose mbas dënimit të Isuf Keçit, a i kini shkuar ndonjëherë në burg së bashku me tradhtarin Mehmet Shehu?
Përgjigje: Nuk më kujtohet që unë t’i kem shkuar në burg Isuf Keçit së bashku me Mehmet Shehun.
Pyetje: Gjatë kohës që keni ushtruar funksione të ndryshme në Sigurimin e Shtetit, a keni pasur raste që të keni rënë në dijeni për veprimtari armiqësore të personave të ndryshëm me funksione drejtuese që më vonë janë dënuar si komplotistë ose tradhtarë? Në rast se po, a keni informuar partinë?
Përgjigje: Di rastin e Vaskë Gjinos që është implikuar si agjent dhe është ndjekur, njëkohësisht dua të them se në vitin 1952 – 1953, kur u bë radioloja, qendra e zbulimit amerikan pyeste se ku ndodhej Beqir Balluku, Liri Belishova dhe Koço Tashko dhe për këtë kam bërë njoftimet përkatëse. Raste të tjera nuk më kujtohen.
Pyetje: Po nga procesi i Hulusi Spahiut, a jeni vënë në dijeni për implikimin e tradhtarit Beqir Balluku?
Përgjigje: Mua nuk më kujtohet që të jem vënë në dijeni.
Pyetje: A jeni vënë në dijeni nga vartësit tuaj për implikimin e Beqir Ballukut për veprimtari armiqësore, veç rastit të Hulusi Spahiut?
Përgjigje: Nuk di e nuk më kujtohet që për këto probleme të jem vënë në dijeni nga vartësit e mi.
Pyetje: Mbas zbulimit të tradhtisë së Beqir Ballukut nga partia a ju ka ardhur ndonjë person t’iu informojë për këtë çështje që ia kishte raportuar vartësve tuaj, me të cilët mbante lidhje pune?
Përgjigje: Nuk mbaj mend që të më ketë ardhur ndonjë person për këtë çështje, d.m.th. që Beqir Balluku ishte në veprimtari armiqësore kundër Partisë. Nuk më kujtohet se cili person më ka thënë për Beqir Ballukun, që ai kishte dezertuar nga batalioni i Ishmit gjatë luftës. Ka mundësi që të ketë qenë Isuf Keçi ose ndonjë person tjetër nga të batalionit Krujë – Ishëm. Këtë çështje ia kam dhënë hetuesit Kristofor Mërtiri.
Pyetje: Po për komplotistët e tjerë ju kanë sinjalizuar dhe çkeni bërë?
Përgjigje: Nuk di nga çburim arkival, por mua më është sjellë pas arrestimit të Abdyl Kllezit një dokument, sipas të cilit dilte që ky i fundit kishte pranuar okupimin e Shqipërisë nga Italia fashiste dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë e konsideronte një fitore të madhe. Për këtë çështje i kam vajtur në hetim Abdyl Këllezit, e kam pyetur dhe përfundimisht di që ka pranuar për sa më sipër. Po kështu, nga një p