Dritan Prifti: Edi Rama dhe Gramoz Ruçi mobilizuan 5 milion euro në Fier për të blerë strukturat dhe votat e LSI-së

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në qarkun e Fierit, Dritan Prifti, hodhi akuza të ashpra dje, gjatë punimeve të Konventës Kombëtare të LSI-së, mbi kryesocialistin Edi Rama dhe deputetin Gramoz Ruçi, për tentativë të blerjes së strukturave dhe votave të LSI-së, në Fier.
Prifti u shpreh se para dhe pas zgjedhjeve, Ruçi mobilizoi në Fier miliona euro dhe përdori kriminelë, ish të burgosur për vrasje dhe trafik droge, për të kërcënuar LSI-në, në atë qark.
“Me veprimtaritë e errëta, PS vetëm në fier ka harxhuar mbi 5 milionë euro, për të blerë strukturat e LSI dhe votat atje. Ruçi dhe Rama mobilizuan lloj-lloj plehrash dhe kriminalesh, për t’i futur kundër LSI. Njerëz të arrestuar për vrasje, për drogë, shoqëruan Ruçin në Fier dhe i përdori ata për të kërcënuar LSI, njerëzit tanë dhe votën tonë atje”, u shpreh Prifti.
Deputeti i LSI shtoi se PS me tentativat e saj manipuluese bleu kryebashkiakun Albert Sanxhaku me 1 milionë euro.
“Bleu edhe dy kandidatët tanë të Lushnjës. Pastaj, Ruçi me disa ish policë të kriminalizuar takoi të gjithë kandidatët dhe kryetarët tanë që me 100 mijë euro, të bëjnë një deklaratë dhe të dalin nga LSI. 5 mijë euro ka hedhur Ruçi për të blerë kryetarin e çdo organizate të LSI-së në Fier”, deklaroi më tej, Dritan Prifti.
Për sa i përket koalicionit të ri qeverisës, PD-LSI, deputeti i LSI, Dritan Prifti nënvizoi se do t’i shërbejë interesave të vendit, realizimit të reformave për finalizimin e tyre me anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
...