PR: Koalicioni PD-LSI i shërben interesit të vendit dhe proceseve integruese

Partia Republikane vlerësoi dje zgjedhjet e 28 qershorit, si një test i suksesshëm dhe i rëndësishëm në avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Kryerepublikani Fatmir Mediu, deklaroi se PR ka si aleate kryesore Partinë Demokratike, me të cilën ndërtoi edhe koalicionin e gjerë, koalicionin fitues të 28 qershorit, duke i garantuar deputetë koalicionit Aleanca e Ndryshimit.
“Partia Republikane rikonfirmoi edhe një herë se është partia e dytë e së djathtës shqiptare, një faktor i rëndësishëm i fitores së saj në këto zgjedhje. PR arriti jo vetëm të sigurojë përfaqësimin parlamentar por edhe ti garantojë deputetë koalicionit Aleanca e Ndryshimit. Partia Republikane ishte e bindur në ndërtimin e një koalicioni të gjerë të së djathtës gjithëpërfshirës, sepse politika nuk është monopol i kurrkujt dhe nuk duhet të jetë përjashtuese. Aleatja jonë kryesore ka qenë dhe mbetet Partia Demokratike, por që të mbetemi të tillë në marrëdhënie dhe qëllime të përbashkëta në interes të vendit, mendoj se ka shumë për të parë në marrëdhëniet dhe detyrimet reciproke”, tha Mediu.
Mediu u shpreh se Partia Republikane ka qenë nën sulmin e vazhdueshëm të Partisë Socialiste, medias të lidhur me të për më shumë se 1 vit e gjysmë, si dhe nga njerëz të cilët u përdorën qëllimisht për të cenuar thelbin e programit të saj politik.
Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, u dha përgjigje atyre politikanëve dhe analistëve që akuzonin se PR ka jetuar në politikë nëpërmjet Dushkut, duke deklaruar se Partia Republikane jo vetëm ka garantuar pjesëmarrjen në kuvend nëpërmjet votës Republikane, por edhe i ka dhënë Partisë Demokratike fitoren e rreth 4 deputetëve në qarqe të ndryshëm dhe partitë e koalicionit së bashku i kanë dhënë më tepër.
Përsa i takon koalicionit zgjedhor me LSI, Mediu vlerësoi se i shërben interesit të vendit, proceseve integruese.
“Prej kohësh ne si politikë kemi përcaktuar qëllime të përbashkëta të cilat kanë pasur iniciativa të përbashkëta në favor të interesave kombëtare. Koha kërkon që ne të ngrihemi mbi dasitë tona politike dhe të punojmë për një qeveri stabil që i shërben interesave të vendit, kontributi politik dhe qeverisës i LSI-së së bashku me Aleancën e Ndryshimit, është shumë i rëndësishëm. Partia Republikane do të jetë pjesë në qeverisjen e ardhme, sipas kontributeve që ajo ka dhënë në Aleancën për Ndryshim, duke ju bashkuar zhvillimit të mëtejshëm të reformave dhe proceseve integruese të vendit”, theksoi më tej, kreu i PR Fatmir Mediu.
...