E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-LSI qeverisje e qëndrueshme, në rrugën drejt integrimit evropian

Konventa i ka dhënë mandatin kreut të LSI-së, Ilir Meta për të negociuar me kreun e PD-ës Sali berisha, për bashkëqeverisjen e integrimit evropian

“Bashkëpunimi PS-LSI, sjell vetëm krizë, destabilitet dhe ne nuk mund të provokojmë zgjedhje të parakohshme. Edi Rama ka dashur të eliminojë Lëvizjen Socialiste për Integrim. Pse kishte frikë Edi Rama që ne të kishim anëtarin tonë në Komisionin e Qendrave të Votimit, anëtarin tonë në vendin e numërimit të votave, vetëm e vetëm që ne të mos kishim syrin tonë atje ku votuan qytetarët shqiptarë. Edi Rama duhet të largohet pas masakrës elektorale që organizoi në zgjedhjet e 28 qershorit”.

Konventa Kombëtare e Jashtëzakonshme e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në unanimitet vendosi dje të miratojë vendimin, për bashkëqeverisje me Patinë Demokratike, për katër vitet e ardhshme. Konventa i ka dhënë mandatin kreut të LSI-së, Ilir Meta për të negociuar me kreun e PD-ës Sali berisha, për bashkëqeverisjen e integrimit evropian.

E mbledhur pas vendimit të kryesisë, për të nisur negociatat me kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha, për formimin e shumicës së re qeverisëse, në fjalën e tij, kreu i LSI-së Ilir Meta u shpreh se LSI do të ndjekë rrugën e përparimit, të zhvillimit dhe rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, një marrëveshje mes PS dhe LSI do të sillte veç krizë duke shtuar se një marrëveshje e tillë do të sillte destabilitet. Kryetari i LSI, Ilir Meta ka lëshuar akuza të ashpra ndaj Edi Ramës si fajtori kryesor për gjendjen në të cilën ndodhet sot elektorati i majtë duke shtuar se LSI-ja nuk mund t’i shërbejë interesave të atij mafiozi dhe se largimi i tij nga politika mund të vendosë një marrëdhënie shoqërore me PS-në. 

“Bashkëpunimi PS-LSI, sjell vetëm krizë, destabilitet dhe ne nuk mund të provokojmë zgjedhje të parakohshme”, tha Meta duke iu referuar Partisë Socialiste. 

Ai solli në vëmendje përpjekjet e forcës që drejton për të vendosur bashkëpunimin e ndërprerë nga Edi Rama në vitin 2007, pasi fitoi mandatin e tretë në krye të bashkisë së Tiranës. 

“Ju i dini shumë mirë të gjitha iniciativat publike dhe jo publike të bëra në këtë drejtim, të cilat janë refuzuar në mënyrë arrogante nga Edi Rama”, tha Meta.

Ai akuzoi Edi Ramën për operacion mafioz në kutitë e votimit në zgjedhjet e 28 qershorit, ndërsa nënvizoi se “Edi Rama ka dashur të eliminojë forcën politike që drejtoj”. 

“Pse kishte frikë Edi Rama që ne të kishim anëtarin tonë në Komisionin e Qendrave të Votimit, anëtarin tonë në vendin e numërimit të votave, vetëm e vetëm që ne të mos kishim syrin tonë atje ku votuan qytetarët shqiptarë”, shtoi Meta, para pjesëmarrësve në këtë konventë. 

Analiza për të gjithë atë që ndodhi në zgjedhjet e 28 qershorit do të bëhet në forumet dhe strukturat e LSI-së në muajt në vijim, por siç cilësoi Meta, “Edi Rama duhet të largohet pas masakrës elektorale që organizoi në zgjedhjet e 28 qershorit”. 

Duke folur për vendimin mbi bashkëpunimin PD-LSI në 4 vitet e ardhshme, z. Meta theksoi se “ne jemi sot një vend anëtar në NATO, jemi vend që duam të hyjmë në BE dhe jemi Lëvizja Socialiste për Integrim dhe jo për izolim”. 

Vendimi që duhet të marrim sot, vijoi ai, është i vështirë për të gjithë, por nuk shikoj një zgjidhje tjetër. 

“Ne jemi një faktor politik që duhet të japim një mesazh pjekurie për politikën shqiptare, një mesazh se LSI është në funksion të integrimit në BE”, theksoi ai.

Meta e cilësoi forcën që drejton, si një forcë që gjithmonë ka sjell risi në politikën shqiptare dhe që i ka shërbyer demokracisë, zhvillimit të vendit. 

“Jemi në prag të një risie të jashtëzakonshme”, tha ai duke iu referuar vendimit për koalicionin PD-LSI në qeverisjen e 4 viteve të ardhshme.

Ndërkaq, vendimin e kryesisë së LSI, për të bashkëqeverisur me PD, e mbrojtën para të pranishmëve në Konventën e Jashtëzakonshme, edhe Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili, kryetari i Komitetit Drejtues Edmond Haxhinasto dhe nën kryetari i LSI, Sokol Axhemi.       

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi para të pranishmëve se Ilir Meta ka vepruar për atdheun. 

“Që në ditën e parë të themelimit, në statutin e LSI, në fillim të saj parashtronim atdheun. Në 2005-ën qëndruam në opozitë. Atdheu na kërkoi në 2007-ën të ishim me PS-në dhe të ekuilibronim rezultatet. Sot atdheu na kërkon dy gjëra, ose të thellojmë krizën, ose ta shmangim atë. Ne kemi një zgjidhje, ne kemi një përgjigje. Ilir Meta ka vepruar për atdheun”, u shpreh Vasili. 

Kryetari i Komitetit Drejtues të LSI-së Edmond Haxhinasto deklaroi se pjesëmarrja e LSI në qeverisjen e vendit, është respekt ndaj votës së qytetarëve. Ai u shpreh se më 28 qershor fituese doli PD, por zgjedhja e LSI është parimore, pasi i jep qeverisjes së ardhshme moralin, që nuk ia jepnin deputetët e trafikuar. 

“Pjesëmarrja e LSI në qeveri, është respekti i votës së qytetareve. Programi ynë i majtë do t’i përmbahet programit të qeverisjes. Ky do të jetë kontributi më i madh qeverisës. Vendim ynë solli një erë të në politikën shqiptare, i solli një frymë të re qeverisjes së vendit. Vendimi ynë do të reformojë të gjithë politikën shqiptare”, deklaroi Haxhinasto.

Ndërsa nënkryetari i LSI-së, Sokol Axhemi, deklaroi se Partia Socialiste dëmtoi interesat e LSI, duke i vjedhur votat në disa qarqe të vendit. 

“Edhe pse na i kanë vjedhur votat, LSI në sajë të mundit dhe kontributit, mbijetoi dhe vazhdon të jetë forcë kryesore në politikën shqiptare. Më 28 qershor na i vodhën dhe na i blenë votat”, tha Axhemi. 

Duke iu referuar vendimit të kryesisë së LSI, për të pranuar ftesën e kryeministrit Berisha, në një qeverisje të përbashkët, Axhemi shtoi se vendimi është i drejtë dhe koalicioni është i domosdoshëm. 

“Vendimi ynë është një vendim i drejtë, ashtu siç kanë qenë përpjekjet tona të gjithëkohshme. Koalicioni është i domosdoshëm, për të mirën e vendit, për punësim, për shërbim shëndetësor. Ndaj, të gjithë së bashku të bëjmë më të mirën për të gjithë shqiptarët. Ata që na kanë dhënë votën, janë të gatshëm për të qeverisur këtë vend, ne jemi të gatshëm të qeverisim Shqipërinë. LSI është faktorizuar dhe ka marrë peshën e saj historike”, deklaroi më tej nënkryetari i LSI-së, Sokol Axhemi.  

I vetmi zë kundër kësaj marrëveshje ka qenë Fatos Klosi, ish-kreu i SHISH-it. Por ndërsa ai ka tentuar të sulmojë marrëveshjen, zëra nga salla e kanë akuzuar si “spiun të Edi Ramës”, që sipas tyre, “të ka dërguar këtu Edi Rama, pas kontakteve të shpeshta që keni pasur ditët e fundit”

Vendim i Konventës Kombëtare të Jashtëzakonshme të LSI

Miratohet bashkëqeverisja me PD-ën, mandatohet Ilir Meta për negocime

Duke vlerësuar me përgjegjësi të lartë politike rezultatin e zgjedhjeve të 28 Qershorit dhe nevojën për të krijuar një qeverisje me bazë të gjerë që t’u shërbejë gjithë shqiptarëve;

Me bindjen se, situata ekonomike dhe politike në vend kërkon evitimin e krizave politike apo të zgjedhjeve të reja të parakohshme;

Me mirëkuptimin e përbashkët për t’u angazhuar dhe realizuar një proces reformimi real të sistemit tonë institucional dhe zgjedhor për të konsoliduar demokracinë dhe shtetin e së drejtës;

Me përgjegjësinë e realizimit të detyrimeve kombëtare për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian, dhe veçanërisht realizimin e lëvizjes së lirë të shtetasve;

Për të ndikuar pozitivisht në zbutjen e polarizimit ekstrem social si rezultat i politikës konfliktuale;

Konventa Kombëtare e Jashtëzakonshme e Lëvizjes Socialiste për Integrim, 

Vendosi

Të miratojë pjesëmarrjen në bashkëqeverisje me Partinë Demokratike, si fituese e zgjedhjeve të 28 Qershorit 2009.

Të mandatojë Kryetarin e LSI, z. Ilir Meta të negociojë me Kryetarin e Partisë Demokratike z. Sali Berisha për krijimin e koalicionit qeverisës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›