Dritan Prifti: Humbjet nga nafta dhe gazi më të mëdha se dëmet nga skemat piramidale
Ish- ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, në një intervistë për revistën JAVA, thotë se abuzimet me naftën dhe gazin në Shqipëri janë më të mëdha se dëmet që sollën skemat piramidale.
Keni dijeni ju si ish- ministër i Ekonomisë nëse janë audituar ndonjëherë nga shteti kompanitë e naftës që operojnë në Shqipëri?
Kjo ka qenë një nga pyetjet që kam bërë unë vetë nga pozicioni i Ministrit të Ekonomisë për Agjencinë e Burimeve Natyrore, enti i cili duhej të kryente auditivin për kompanitë e naftës. Përgjigja ishte e thjeshtë: Jo, askush nuk e kishte vënë në lëvizje agjencinë, edhe pse duhej ta kishte bërë, edhe pse asnjëherë, në asnjë rast, kompanitë e naftës nuk kishin paguar tatim fitimi për shtetin. Një situatë që mund të konsiderohet skandaloze. Diku nga maji 2010, urdhërova AKBN-në të niste procesin e auditivit financiar për Bankers Petroleum, një nga kompanitë që shfrytëzon naftën shqiptare prej vitesh. Ndodhi që unë u shkarkova nga detyra përpara se të mbaronte auditivi dhe të tërhiqeshin rezultatet zyrtare. Deri në atë moment nga agjencia isha informuar se ishin verifikuar shkelje të mëdha në ato që quheshin shpenzime të zbritshme të kompanisë. Kompania rriste në mënyrë artificiale shpenzimet e saj që të mos paguante tatim fitimin. Binte në sy që shpenzime të konsiderueshme bëheshin jashtë vendit dhe që ishin të dyshimta. Me largimin tim nga detyra, auditi humbi.
Nafta dhe gazi janë pasuria më e madhe që ka ky vend. Ato duhet të ishin burimi kryesor i rritjes ekonomike dhe zhvillimit të vendit. Por qasja qeveritare me këtë sektor jetik dhe strategjik ka qenë së paku abuzive. Dëmi që i është shkaktuar vendit nga abuzimet me naftën dhe gazin, besoj se është më i madh se dëmi që sollën skemat piramidale në vitin 1997. Mbase një ditë do ta kuptojmë të gjithë të tronditur se çfarë ka ndodhur realisht me naftën dhe gazin. Shpresoj se do të vijë dita që të ndërgjegjësohemi dhe të shohim seriozisht se çfarë ka ndodhur.
Çfarë ka përfituar realisht Shqipëria nga nafta dhe gazi, që ju i konsideroni pasuritë më të mëdha të vendit?
Pothuajse asgjë. Nga këto kompani shteti ka marrë vetëm dhjetë përqind rentë minerare dhe asgjë tjetër. Kjo rentë është e pamjaftueshme qoftë dhe për të rehabilituar shkatërrimin ambiental që vjen për shkak të shfrytëzimit të vendburimeve apo edhe prej abuzimit me ambientin prej tyre. Unë si ministër nuk pata kohën e nevojshme për të ndërhyrë në këtë situatë që kërkon megjithatë ndërhyrje të ndershme dhe urgjente. E përsëris, duhet ndërhyrë ndershmërisht. Në çdo vend të botës, operimi në kushte të ngjashme në këtë sektor funksionon ndryshe: fitimi i shtetit dhe kompanisë ndahet në masë të barabartë, 50 përqind me 50 përqind, pavarësisht shumës së investuar nga privati dhe pavarësisht gjithçkaje tjetër. Pse nuk ka ndodhur kështu në Shqipëri? Është një përgjigje që shumëkush e di.