Teatër absurd në opozitën shqiptare!
Një ditë pasi Gramoz Ruçi, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, la të kuptohej se në koalicionin e majtë mund të përfshihet edhe LSI-ja (në qoftë se kjo parti rrëzon me 4 mandatet e saja qeverinë Berisha), aleatët e vegjël opozitarë e sulmuan PS-në për çështjen e sistemit zgjedhor, duke nënkuptuar dalje nga koalicioni me të.
Reforma zgjedhore po degradon. PS ka përgjegjësi për të garantuar reformë zgjedhore reale. E majta ndodhet në opozitë për shkak të qëndrimit të lidershipit ndaj aleatëve, tha Gjinushi në një konferencë shtypi të përbashkët me Milon, Koçin, dhe Ndokën. Ndërsa Milo tha se PS po bën të njëjtat gabime që e çuan në disfatë dhe, nëse ecet kështu, do ti kushtojë 2013-ta. Treni i PS-së jo vetëm nuk po zgjatet, por ka mundësi të shkurtohet. Nuk kërkojmë mandate si lëmoshë, por formulë bashkëpunimi si aleatë.
Për këdo që e kupton sesi funksionon komisioni parlamentar për reformën zgjedhore, është e qartë se PS-ja ka praktikisht çelsin e kashtës në të. Në qoftë se PS-ja vë veton për korrektimin e sistemit zgjedhor sipas midesë së partive të vogla, PD-ja mund të vërë veton për mosndryshimin e tij dhe, automatikisht, do të mbetet në fuqi kodi aktual zgjedhor. E vetmja parti që ka çelsin e qilarit (dhe jo të kashtës) në komisionin parlamentar për reformën zgjedhore është LSI-ja, e cila është partia që, po të dojë, mund ta kërcënojë realisht Berishën me rrëzimin e qeverisë. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, LSI-ja mund të kishte marrë dyfishin e mandateve, në qoftë se sistemi rajonal do të ishte korrektuar proporcionalisht në rrang kombëtar.
Me pak fjalë, mund të thuhet se, në qoftë se LSI-ja do të vendosë të futet në skenën e teatrit politik të ndryshimit të sistemit zgjedhor, teatri do të jetë real. Përndryshe, me debatet mes aktorëve të vegjël opozitarë dhe PS-së, ai është thjesht një teatër absurd, i cili kënaq vetëm Berishën dhe berishianët…
E.Zaloshnja
http://respublica.al/artikuj/2012/4/7/teater-absurd-ne-opoziten-shqiptare