Drite ne Autostraden Berisha
Kryeministrat Sali Berisha dhe Hashim Thaçi inaugurojnë hapjen e tunelit Thirrë-Kalimash, veprës më të madhe inxhinierike të rajonit, i cili shënon preludin e vënies në funksionim të autostradës së shqiptarëve Durrës-Prishtinë. Entuziazëm në dy anët e kufirit administrativ. Kryeministri shqiptar zotohet se do ia kushtojë jetën shembjes së çdo barriere, historike apo gjeografike, që mund të ndalë zhvillimin e hapësirave mbarëshqiptare
TIRANE - Tuneli Thirrë-Kalimash vepra më e vështirë inxhinierike e autostradës Durrës-Kukës-Morinë, i njohur si korridori i shqiptarëve apo aorta e kombit u përurua dje në mesditë nga kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi
Ndërtimi i tunelit, pjesë e segmentit Rrëshen-Kalimash në autostradën Durrës-Kukës Morinë, nisi dy vjet më parë nga të dyja hyrjet, nga Thirra dhe Kalimashi, në një terren të vështirë malor, për hapjen e të cilit është dashur të punohet në shkëmbinj. Dje u hap një nga hyrjet e tij, Thirrë-Kalimash, ndërsa hyrja tjetër Kalimash-Thirrë, pritet të përfundojë së shpejti. Pas shpimit të centimetrave të fundit të tunelit të Kalimashit, zyrtarisht është hapur njëri krah i autostradës Durrës-Kukës-Morinë.
I hipur mbi një buldozer kryeministri shqiptar Sali Berisha ka rrëzuar murin simbolik që ndante tunelin e Kalimashit duke çelur zyrtarisht atë.
Në hapjen e tunelit e pranishme ishte gjithashtu edhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli, zonja Liri Berisha, ministri i Transporteve Sokol Olldashi, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, po ashtu e pranishme ishtë edhe mbesa e ish-presidentit amerikan Ajzenhauer.
Ndërsa delegacioni kosovar përfaqësohej nga kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Transporteve Fatmir Limaj si dhe 18 anëtarë të tjerë.
Rreth orës 12.00 të mesditës kryeministri i Kosovës dhe i Shqipërisë, Hashim Thaçi e Sali Berisha, janë përqafuar në mesin e tunelit, ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë ka përshkruar rrugën, duke hyrë në tunel nga Thirra, ndërsa kryeministri i Kosovës ka përshkruar tunelin duke hyrë nga ana tjetër, Kukësi.
Në Kalimash, në prani edhe të shumë qytetarëve nga të dy anët e kufirit, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, të cilët për ta përcjellë nga afër këtë ngjarje të madhe historike, krijuan një atmosferë të vërtetë festive
Një pllakat i madh, i vendosur nën flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë, është vënë mbi tunel në të cilën shkruan “Përgjithmonë”.
Flamujt kombëtarë të Shqipërisë dhe Kosovës valëviten në këtë zonë, ndërsa një parullë e madhe lajmëron se me ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë distanca mes Tiranës me Prishtinës do të shkurtohet në 65 kilometra. Nga 330 kilometra që ishte distanca Tirana- Prishtinë, tashme ajo do të jetë 265 kilometra dhe më se shumti atë e shkurton tuneli Thirrë-Kalimash, një vepër gjigante e ngritur mes shkëmbinjve që tashmë është shndërruar në një aks modern, 5.6 kilometra. Nga të dhënat zyrtare rezulton se 33 milion metër kub material shkëmbor janë zhvendosur për të ndërtuar tunelin Thirrë-Kalimash.
Me të dalë nga tuneli i Kalimashit kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, mbajtën një konferencë të përbashkët për media. Me këtë rast kryeministri Berisha deklaroi se hapja e tunelit të Kalimashit është pjesë e realizimit të një prej ëndrrave më të bukura të shqiptarëve, duke shtuar se ky është tuneli i bashkimit të kombit, i cili dëshmon se nuk ka male dhe as pengesa që mund të ndajnë shpirtërisht e as fizikisht kombin shqiptar.
“Dëshiroj t’iu përshëndes të gjithëve përzemërsisht dhe te ndaj me ju gëzimin e madh të shndërrimit sot ne këtë moment te një ëndrre gjithëshqiptare ne një realitet”, ka theksuar kryeministri Berisha në fjalimin e tij pas përurimit të tunelit në Kalimash, në mesin e të cilit ai u takua me homologun kosovar, Hashim Thaçi.
Berisha vlerësoi se ky tunel para se gjithash është tuneli i bashkimit te kombit.
“Sot ne vendosem se nuk ka asgjë qe mund ta ndajë jo vetëm shpirtërisht, por as fizikisht këtë komb. Sot ne inauguruam tunelin qe bashkon jo vetëm shqiptaret, por bashkuam tunelin që me shërbimet që ofron, bashkon më shumë shqiptarët me kombe të tjera te rajonit. Sot ne inauguruam tunelin i cili do beje qe brigjet e Shqipërisë, portet e saj, t’iu shërbejnë jo vetëm shqiptareve, por t’u shërbejnë të gjithë kombeve të rajonit”, theksoi Berisha, për të shtuar se vlera e kësaj vepre është shumë here me e madhe se milionat a harxhuara për te.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi me rastin e inaugurimit të njërit krah të autostradës Durrës-Morinë, në tunelin e Kalimashit, ka sjellë mesazhin e urimit dhe përgëzimit, duke thënë se kjo është një ditë e madhe për gjithë shqiptarët kudo që janë dhe u zotua se për një kohë të shkurtër kjo rrugë do të vazhdojë edhe në pjesën e Kosovës, Vërmicë-Prizren-Prishtinë.
“Tirana dhe Prishtina janë më afër njëra-tjetër si kurrë më parë dhe se kështu do të jenë përgjithmonë. Element i kësaj afërsie është liria, pavarësia dhe shteti i Kosovës. Kosova e pavarur, Shqipëria në NATO, tash ndërtojmë autostrada”, u shpreh Thaçi, duke përgëzuar kryeministrin Berisha, qeverinë dhe popullin shqiptar për realizimin e kësaj kryevepre kolosale, me dëshirat për integrime kombëtare dhe euroatlantike.
Në këtë ceremoni festive të inaugurimit të hapjes së njërës pjesë të autostradës Durrës-Morinë, në tunelin e Kalimashit, i gjatë 5.6 kilometra, morën pjesë zyrtarë të lartë të të dyja vendeve, dhe qindra qytetarë nga Kosova dhe Shqipëria. I pranishëm në këtë ceremoni festive ishte edhe ambasadori William Walker.
Autostrada Durrës- Kukës, një projekt i qeverisë shqiptare, është vepra më e madhe inxhinierie në Shqipëri dhe një ndër më të mëdhatë në Ballkan që ka kushtuar mbi 1 miliard euro, ndërsa gjatësia totale e rrugës është 170 km.