PD hap sot fushaten elektorale ne sheshin Skenderbej
Kryetari i PD-së, njëherazi kryeministri Sali Berisha do të prezantojë programin e ri qeverisës, për katër vitet e ardhshme
TIRANE - Partia Demokratike, udhëheqëse e koalicionit elektoral “Aleanca për Ndryshim”, çel sot zyrtarisht fushatën zgjedhore. Gjatë mitingut që pritet të zhvillohet në një atmosferë të jashtëzakonshme në sheshin “Skënderbej”, kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherazi kryeministri Sali Berisha do të prezantojë para qytetarëve programin e ri qeverisës, për katër vitet e ardhshme.
Në mitingun e sotëm, për të cilin burime pranë selisë blu bëjnë të ditur se janë marrë të gjitha masat për një organizim madhështor, përfaqësuesit e qeverisë dhe të koalicionit përbërës së “Aleanca për Ndryshim”, do të shpalosin vizionin e tyre për katër vitet e ardhshme, me qeverisjen e Partisë Demokratike dhe të aleatëve.
Partia Demokratike hyn në garën elektorale të këtij viti me koalicionin më të madh në histori, me plot 10 parti politike, me synimin e vetëm të fitores së thellë në zgjedhje.
Katër vitet e mandatit që po mbyllet, qeverisja demokratike arriti të realizojë të gjitha premtimet e saj, si rritjen e pagave dhe pensioneve, investimet në infrastrukturë, furnizimin me 24 orë me energji elektrike, hapjen e afro 100 mijë vendeve të reja të punës, uljen e taksave, realizimin e reformave jetike që mundësuan edhe anëtarësimin e vendit në NATO e njëherazi dorëzimin në Bruksel të kërkesës për statusin kandidat në BE.
Ndërkohë, kryeministri Berisha premton se në mandatin e dytë prioritete do të jenë rritja e mëtejshme e pagave dhe pensioneve, për të parakaluare dhe 6 vendet të BE, investimet në infrastrukturë, zgjidhjen e çështjes së pronësisë, thellim të reformave në sistemin e drejtësisë, sistemin shëndetësor etj. Gjithashtu, brenda vitit të parë të mandatit të dytë qytetarët shqiptarë do të lëvizin të lirë, pa viza, në të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.