E Diel, 1 Nëntor 2026

Dritëro Agolli: Më mirë një qeveri me figura të reja. Rilindja? Më mirë ta quajmë rimëkëmbje

dritero-agolliPartiarku i socialistëve, Dritëro Agolli, në një intervistë të gjatë për gazetën Panorama, thotë se është më mirë që kabineti i ri të ketë figura të reja.

Më mirë do jetë me figura të reja, sepse do ta fillojnë nga e para dhe nuk do të jenë rutinë, siç ka bërë paraardhësi të bëj dhe unë. Më mirë që janë të rinj, ta fillojnë nga e para dhe të jenë me entuziazëm. Pas luftës, ministrat e qeverisë së parë ishin ministrat më me kulturë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria sepse ata vinin nga shkolla të larta jashtë shtetit. Ishin personalitete me libra të botuar: Sejfulla Malëshova ishte botues, ishte poet, ishte me eksperiencë të madhe se kishte qenë afër revolucionit të Nolit, kishte mbaruar 4 vjet universitet për Mjekësi në Itali e pastaj shkoi si revolucionar në Moskë, shprehet Agolli.

Sa i përket termit rilindje, Agolli thotë se më mirë do ishte të përdorej termi rimëkëmbje.

Rilindje është një gjë shumë e madhe, nuk ndodh gjithnjë rilindja. Nëse do ta përdorim si kapërcim të sistemeve, nëse do të kalonim nga sistemi socialist në atë kapitalist, të ekonomisë së tregut, termi Rilindje do të ishte i goditur. Por, ne sot jemi brenda të njëjtit sistem dhe nuk po ndryshojmë sistemin tonë ekonomik dhe politik, jemi brenda ekonomisë së tregut. Rilindësit përdorën termin Rilindje, sepse ishte një zgjim dhe dalje nga Mesjeta, nga inkuizicioni dhe revokuan vlerat më të mëdha kombëtare. Rilindja jonë ishte shpëtim nga pushtuesi shekullor turk. Naimi thoshte Dielli lind andej nga perëndon. Më shumë, për mua, termi duhet të ishte Rimëkëmbje. Nuk do të shkojmë në krijimin e një sistemi të kundërt me ekonominë e tregut ku jemi futur.

I pyetur nëse Lulzim Basha do e drejtojë ndryshe Partinë Demokratike, ai thotë se vendi ynë është i paparashikueshëm.

Në kuptimin e përmbysjeve të gjërave. Në Pogradec unë kam vite që shkoj. Liqeni është shumë i qetë. Papritur fillojnë dhe dalin pulëbardhat. Po dolën ato, fillojnë dallgët. Shqiptarët janë të papritur, nuk mund ti parashikosh siç është dhe koha, që është e paparashikuar. Nuk mund të them se çmund të ndodhë në këtë botë, megjithatë kam besim se të rinjtë do ta ndryshojnë gjendjen, pasi ata janë të prirur drejt së resë.

Patriarku beson tek aftësitë e Edi Ramës si Kryeministër, duke e cilësuar atë më të aftë si administrator, sesa si kryetar partie. Ai e sheh pozitive ndarjen e ministrave nga mandati i deputetit, por edhe u sugjeron liderëve që të mbledhin pranë vetes si këshilltarë njerëz të ditur që të këshillohen prej tyre./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›