Droga, faktori që po rrezikon stabilitetin e Rusisë
Moska nxiton të fajësojë Perëndimin për dështimin e politikës në Afganistan, si shkaktar i shtimit të jashtëzakonshëm të numrit të përdoruesve të drogës. Përveç këtij fakti, rusët harrojnë që shumë probleme duhet në radhë të parë t'i kërkojnë te vetja e tyre
Në një shesh loje, diku në qendër të Moskës, nuk duket këmbë fëmije. Lisharëset janë mbuluar nga një dëborë e pistë dhe kudo të zë syri shishe të zbrazura vodke e po të jesh më i vëmendshëm mund të shohësh edhe shiringa të hedhura aty-këtu. Nënat i pëshpëritin
njëra-tjetrës që të mos i lënë fëmijët të luajnë në këtë shesh, pasi tashmë nga shesh lojërash ai është shndërruar në shesh vdekjeje. Në të narkomanët, kryesisht adoleshentë e të rinj, kryejnë "furnizimin" me drogë. Ky shesh lojërash s'është veçse një shenjë e vogël e një epidemie të madhe të përdorimit të heroinës dhe drogës në përgjithësi, në përmasa gjithnjë e më të jashtëzakonshme. Sipas zyrtarëve të shëndetësisë e grupimeve, apo organizatave të tjera shoqërore, përhapja e një fenomeni të tillë po kërcënon vetë ekzistencën e kombit. Është një kërcënim ndaj sigurisë sonë kombëtare, shoqërisë, civilizimit tonë", thotë Viktor Ivanov, zyrtari më i lartë rus që ka lidhje me luftën kundër drogës. Sipas tij, në Rusi ka mbi 2 milionë persona që kanë krijuar një varësi të plotë ndaj drogës, ose e thënë ndryshe në çdo 50 veta, 1 është i droguar. Kjo shifër është 8 herë më e lartë krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian. Pjesa më e madhe e të droguarve kanë varësi ndaj heroinës, e cila nga Azia Qendrore vjen tranzit përmes Afganistanit, si dhe kufirit të Rusisë me Kazakistanin. Edhe zyrtarët rusë të antidrogës janë të dëshpëruar për shtimin e numrit të përdoruesve, që po sipas tyre përbën numrin më të madh të përdoruesve në botë, brenda një vendi të vetëm. Ivanov, një ish-operativ i KGB-së së
dikurshme dhe një bashkëpunëtor i afërt i Presidentit të vendit, Vladimir Putin, thotë se
pushtimi i Afganistanit nga perëndimorët dhe "lufta kundër terrorizmit" janë ndër faktorët kryesorë që e kanë çuar Rusinë në këtë situatë. Situata aktuale në këtë vend mund të krahasohet me atë në Kinë në shekullin e 19-të, kur tregtarët britanikë përhapën opiumin
në Kinë, duke e shndërruar një pjesë të madhe të popullsisë kineze në të varur ndaj drogës. Dje Ivanov është nisur drejt Vjenës për të marrë pjesë në sesionin e posaçëm të OKB-së mbi drogën dhe do të bëjë thirrje për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në gjetjen e zgjidhjeve për ndalimin e përhapjes së drogës, veçanërisht asaj që vjen nga Afganistani. Ai, gjithashtu do të kërkojë në takim, që Rusia të përfshihet në procesin vendimmarrës në Afganistan. Situatën në këtë vend e përcaktoi si "turp të komunitetit ndërkombëtar" dhe tha se Rusia ishte në favor të spërkatjes së fushave të mbjella me drogë me pesticide, për të eliminuar bimët. Shifrat tregojnë se 90% e drogës vjen
nga Afganistani. Sipas zyrtarit rus, "falë Zotit, Perëndimi po ndërgjegjësohet se e gjithë lufta kundër terrorizmit ishte një gjykim i keq. Kemi dëgjuar që Barak Obama dhe Devid
Miliband do të dalin dhe do të deklarojnë se gjithçka ishte një gabim. Për sa i përket Afganistanit, niveli i drogës që prodhohet aktualisht në këtë vend është 44 herë më i lartë se ai që prodhohej në vitin 2001, pra para se Bushi të niste luftën e tij famëkeqe. Ndërkohë, në Rusi si qeveria, ashtu edhe organizatat e ndryshme janë të një mendjeje për sa u përket përmasave të jashtëzakonshme që ka marrë epidemia e drogës, epidemi që nëse do të vazhdojë, do të ketë pasoja shkatërrimtare për të gjithë vendin dhe të ardhmen e tij. Por, ndërsa për qeverinë ruse rrënja e problemit është dështimi i Perëndimit në Afganistan, kritikët e këtij këndvështrimi thonë se pjesa më e madhe e faktit është e politikave qeveritare për parandalimin e përhapjes së drogës, veçanërisht te të rinjtë. "Strategjia ruse ka qenë gjithmonë për shmangien e debateve dhe diskutimit në lidhje me
fenomenin dhe demonizimi i përdoruesve të drogës", thotë përfaqësuesi i një shoqate joqeveritare ruse. Sipas tij, deri më tani qëllimi i politikës shtetërore nuk ka qenë ndihma ndaj të droguarve, por identifikimi i tyre dhe më pas dënimi i veprimit. Asnjë vend në botë nuk ka përdorur një strategji të tillë ndaj të droguarve si Rusia. Çdo përdorues droge që kërkon ndihmë mjekësore për problemin që ka regjistrohet menjëherë në regjistrin kombëtar të narkomanëve. Ky informacion i jepet policisë, e cila mund ta arrestojë përdoruesin, madje ta lërë pas hekurave për një kohë të gjatë. Sipas një raporti nga "Human Rights Watch", politika ruse për trajtimin e të droguarve është shumë e vjetër dhe nuk jep asnjë efekt në përmirësimin e situatës. Si pasojë e përhapjes së përdoruesve të drogës, Rusia ka edhe problemin gjithnjë e në rritje me shtimin e të infektuarve me HIV. Vetëm në Rusi mendohet të jenë 1 milion të infektuar. Dhjetë vite të shkuara, epidemia u përhap kryesisht brenda komunitetit të përdoruesve të drogës, por aktualisht ajo transmetohet kryesisht në rrugë seksuale. Cilado qoftë arsyeja që ka shkaktuar epideminë e madhe të drogës në Rusi, faji i Perëndimit, apo i keqqeverisjes ruse, të gjithë duhet të ndërgjegjësohen për faktin se çdo vit mbi 30 mijë rusë ndërrojnë jetë për shkak të heroinës e kokainës, një shifër kjo që edhe për një vend me një popullsi të madhe si Rusia, është jashtëzakonisht e lartë.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”