E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogba, sherr me zv/trajnerin Ten Keit

Vazhdon tensioni në radhët e Çelsit. Mediat britanike kanë raportuar një sherr që ka ndodhur ndërmjet sulmuesit Didier Drogba dhe zv/trajnerit Henk Ten Keit. Gjithçka ka ndodhur pas takimit të përfunduar në barazim 4-4 me Totenhemin dhe sipas "Daily Mirror", lojtari nga Bregu i Fildishtë ka qenë tejet i mërzitur nga zëvendësimet e Avram Grant. Kur blutë ishin në avantazh, tekniku ka larguar nga loja Xho Kol (autor i dy golave) dhe në vend të tij aktivizoi Aleks, duke kaluar në mbrojtjen me tre lojtarë, një skemë jo shumë e përdorur. Në këto momente, Drobga ka vrapuar drejt stolit duke kërkuar sqarime nga ndihmës trajneri Stiv Klark, ndërsa në fund të takimit ka debatuar me Ten Keit në dhomat e zhveshjes. Ky është episodi i dytë, kur një nga lojtarët kryesorë të Çelsit, ka pasur përplasje me Henk Ten Keit: më parë me holandezin kishte debatuar kapiteni Xhon Terri, menjëherë pas finales së humbur përpara një muaji në "Carling Cup", pikërisht me Totenhemin.

Ngjarja konfirmon problemet që ekzistojnë brenda skuadrës, e që paraqiten edhe në rezultate: në këtë sezon, Çelsi nuk ka arritur të fitojë asnjë ndeshje përballë skuadrave që renditen në shtatë vendet e para në kampionat, ndërkohë që kanë marrë vetëm dy pikë në sfidat me "Katër të Mëdhatë". Në fund të sezonit, ndryshimet në stafin teknik në "Stemford Brixh" duken të paevitueshme. Kjo është edhe arsyeja përse Xhanfranko Zola ka hedhur kandidaturën për t‘u rikthyer te Çelsi në një detyrë si trajner apo si menaxher. Italiani është një nga lojtarët e huaj më të dashur që kanë luajtur në klub: në shtatë vjet ka shënuar 80 gola. Zola, që aktualisht është pjesë e stafit të kombëtares Under-21 të Italisë tha: "A do të kthehem te Çelsi? Të shohim. Mendoj se do kthehem. Herët a vonë duhet të kthehem, por në këto momente duhet të mësoj. Të luash futboll është një gjë, por të jesh trajner është plotësisht ndryshe". Klubi londinez po mendon edhe për merkaton. Objektivi më i ri është sulmuesi 17-vjeçar i Interit, Mario Baloteli. Edhe pse në stërvitje, lojtari ka treguar formë të jashtëzakonshme, Mançini vazhdon të mos e aktivizojë, duke bërë që vëllai i tij (njëkohësisht edhe menaxher) të deklaronte "se kështu nuk mund të ecet më përpara". Pas këtyre fjalëve, të dërguar të Çelsit kanë filluar të vëzhgojnë nga afër "SuperMarion".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›