Mançini: Roma luan, Interi fiton
Në radhët e Interit, që sot do të përballet me Juventusin, lajmi pozitiv është rikthimi i Dejan Stankoviç mes lojtarëve të gatshëm. Lajme të mira vijnë edhe nga francezi Vieira, i cili e kishte parë ndeshjen e së mërkurës me Xhenoan nga tribuna, për shkak të një problemi muskulor. Në gjendje të mirë duket edhe Maksuell, që nën vëzhgimin e Moratit (presidenti zikaltër i ka ndjekur të gjitha përgatitjet përpara ndeshjes, ndërsa më parë kishte biseduar gjatë me Mançinin) kishte pësuar një dëmtim të vogël në kaviljen e majtë. "Nuk ishte asgjë e rëndë, ka qetësuar ambientin trajneri i Interit. Maksuell do të jetë në dispozicion. Të tjerët? Vieira dhe Stankoviç janë më mirë. Gjendjen e tyre do ta vlerësojmë nesër (sot), por gjasat janë që të dy të luajnë nga minuta e parë". Mançini i ka idetë e qarta për sfidën Inter-Juventus: "Është një përballje klasike, ndeshje shumë e rëndësishme, që vjen pas një jave tejet të lodhshme. Megjithatë, pas takimit me bardhezinjtë mbeten edhe tetë sfida të tjera, pra edhe 24 pikë. Nëse Juventusi pozicionohet kaq lart në renditje, kjo është e gjitha merita e Ranierit, i cili është trajner kompetent dhe një person për së mbari. Është e vërtetë se skuadra ka lojtarë shumë të mirë, por nuk ishte e thjeshtë që të arrinin rezultate kaq të mira, edhe sepse kanë vuajtur shumë mungesat për shkak të dëmtimeve".
Më pas, tekniku zikaltër është përqendruar tek analiza e kampionatit. "Në garën për fitimin e titullit, decizive do të jenë tri ndeshjet e ardhshme, edhe sepse në atë periudhë Roma do të luajë ndeshjet në Champions dhe të gjithë duhet të mendojnë që të administrojnë energjitë, tha Mançini. Mendoj se kalendari përbën një problem më vete, pasi aty parashikohet të zhvillohen ndeshjet me kombëtaret, në një javë ku lojtarët në klube kanë luajtur tri ndeshje kampionati. Shpresoj që mos të penalizohemi nga kjo ngarkesë e madhe fizike". Ai ka folur edhe rreth kartonëve të shumtë të kuq, të marrë nga Interi: "Shpresojmë që ky fenomen të jetë mbyllur me kaq. Në karrierën time nuk isha përballur asnjëherë me një situatë të tillë (10 ndeshje të mbyllura me një lojtar më pak)". Në fund, dy fjalë për Romën: "Luajnë më mirë se Interi? Edhe mundet, por kjo thuhej edhe në sezonin e kaluar. Shpresojmë që kampionati të mbyllet në të njëjtën mënyrë".