E Hënë, 2 Nëntor 2026

Drogë me postë nga SHBA e Tajlanda, policia godet dy raste të trafikut të kanabisit me cilësi të lartë

Përsëriten rastet kur shpërndarësit e lëndëve narkotike porosisin dhe transportojnë drogë përmes postës. Kanë qenë dy operacione të Sektorit të Antidrogës të realizuara gjatë 24 orëve të fundit ku janë arrestuar 3 persona, të dyshuar si porositësit të kanabisit nga SHBA-të dhe Tajlanda.

Operacioni i parë i koduar “Destinacioni 1” u finalizua me goditjen e një grup kriminal që trafikonte kanabis nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar. Në pranga ka rënë Ermal Halili banues në Elbasan, ndërsa një 24-vjeçar u shpall në kërkim.

Agjentët e antidrogës sekuestruan 2.3 kg kanabis sativa me përqindje të lartë THC, njësi matëse për cilësinë e lëndës. Kjo sasi ishte parashikuar për t’u shitur në Elbasan, me vlerën 45 000 euro.

Për shkak se kanabisi me këto norma të larta vlerësohet si një ndër më cilësorët ka një çmim shumë herë më të lartë sesa kanabisi tjetër, çmim që varion për 3 gramë në vlerën e 100 eurove. Blutë sekuestruan edhe shuma parash, celularë dhe automjete që shpërndarësit përdornin për veprimtarinë kriminale. Kanabisi që vinte me postë nga Amerika, ishte futur në një pako me fara për bar artificial që përdoret për fushat sportive.

“Destinacioni 2” ishte operacioni tjetër që goditi të njëjtën skemë, por kësaj here nga Tajlanda. Në pranga ka rënë 19-vjeçari Bruno Lila si dhe një i mitur. Policia gjithashtu shpalli në kërkim dy persona të tjerë. Në këtë aksion u sekuestrua 1.7 kg kanabis gjithashtu me vlerë të lartë THC me vlerë 23.000 euro. Droga nga Tajlanda ishte sjellë në 5 pako të kamufluar si noodle, makarona aziatike./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›