Dumani: Nuk ka asnjë të paprekshëm! Festohet 5 vjetori i SPAK, SHBA dhe BE vlerësojnë goditjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit

Askush nuk është imun apo i privilegjuar parballë ligjit, deklaron kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani në përvjetorin e pestë të institucionit të drejtuar prej tij.
Altin Dumani: Drejtësia nuk njeh anë dhe kah, dhe nuk ka të paprekshëm nëse ligjet e këtij vendi shkelen. Korrupsioni sfidohet, se sot s’mund të ketë zyrtarë të lartë publik të imunizuar nga drejtësia. Kjo përpjekje e jona s’ka kaluar pa vështirësi. Korrupsioni apo krimi s’mund të zhduken para ditës. Jemi përballur me përpjekje për ta minuar punën tonë, kërcënime, shpifje apo kërcënime familjarësh. Jemi betuar për tu shërbyer vendit, drejtësisë shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë.
Në pesë vjet Dumani thotë së goditja ka qenë e dyanshme, s’ka shpëtuar krimi i organizuar, as korrupsioni.
Altin Dumani: Janë proceduar 61 zyrtarë të lartë për korrupsion, nga të cilët 70% janë dërguar në gjykim. Sa i përket krimit të organizuar, janë proceduar 955 persona nga ku 55% e tyre janë dërguar në gjykim.
Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexandër Kasanof është pro rikandidimit të prokurorëve të SPAK, të cilqve u mbaron mandati në 2028.
Alexander Kasanof: Për t’u siguruar që SPAK-u do të vazhdojë pa ndërprerje luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të ardhmen, ne besojmë se prokurorët e SPAK-ut duhet të lejohen të aplikojnë për të shërbyer sërish pas përfundimittë mandatit të tyre aktual.
Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato e quan sukses punën e SPAK për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në union.
Silvio Gonzato: Festojmë sot një element të rëndësishëm të Reformës në Drejtësi që bëri të mundur nisjen e negociatave. Goditja e korrupsionit në nivele të larta, pikë kyçe në sistemin e integrimit. SPAK sinonim i suksesit në Shqipëri, qytetarët besojnë që SPAK është institucioni më i besuar. Duhet të jeni krenar për atë që keni arritur por të mos flemë mbi dafina e të hedhim sytë nga e ardhmja”
SPAK i hapi dyert më 19 dhjetor të 2019 me vetëm 8 prokurorë nga 20 që parashikon organika e këtij institucioni. Të shumta kanë qenë goditjet e kësaj strukture ndaj zyrtarëve më të lartë të shtetit shqiptar, ku bën pjesë, ish – kryeministri i vendit, Sali Berisha, ish presidenti, Ilir Meta, ish- zv kryeministri, Arben Ahmetaj, ish- ministri i Mjedisit, Lefter Koka, vartësi i tij Alqi Bllako e deputetja Monika Kryemadhi etj./vizionplus.tv