Drogë nga Shqipëria, pranga 33 vjeçarit grek
IGUMENICE- Agjentët e anti-drogës së Igumenicës kapin sërish drogë shqiptare vetëm pak kilometra larg kufirit tonë.
Në fshatin Sajadhë të Thesprotisë, në rajonin e Igumenicës, policia greke ka parë një automjet që lëvizte në mënyrë të dyshimtë, nga kufiri për në brendësi të territorit. Agjentët e antidrogës kanë organizuar operacionin dhe kanë arritur të kapin mjetin.
Brenda tij u gjetën dhe u sekuestruan 4 çanta të zeza sportive, me 125 pako, të mbushura me lëndë narkotike “cannabis sattiva”, me peshë totale 128 kg e 188 gram. Në pranga ka përfunduar drejtuesi i mjetit, një 33-vjeçar grek, i cili dyshohet se më parë e kishte marrë drogën nga shtetas shqiptarë në kufi. Zona ku u kap droga është shumë afër me qytezën e Konispolit në Shqipëri.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua droga, automjeti dhe një telefon celular. Gjatë 13 ditëve të para të muajit shtator, nga policia e Igumenicës, janë kapur rreth 602 kg hashash në afërsi të kufirit shqiptaro-grek, e konkretisht në fshatrat Koskë, Camanda dhe Sajadhë.
Në pranga kanë përfunduar 4 grekë, dy shqiptarë ndërsa dy shqiptarë të tjerë janë shpallur në kërkim. Në të gjitha rastet droga vinte nga Shqipëria.
Shpresa Dine