E Diel, 1 Nëntor 2026

Dropull, përkujtohet 86-vjetori i Luftës Italo-Greke

86-vjetori i Luftës Italo-Greke u përkujtua këtë 28 tetor me një aktivitet në Bularat të Dropullit, organizuar nga Ambasada e Greqisë në bashkëpunim me shtetin shqiptar.

Data shënon refuzimin e ultimatumit të Italisë fashiste nga kryeministri grek i asaj kohe, Joanis Metaksas, më 28 tetor 1940, një ngjarje që u bë simbol i qëndresës ndaj fashizmit.

Lufta Italo-Greke u zhvillua edhe në territorin shqiptar, duke shkaktuar mijëra viktima. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 8 mijë ushtarë grekë humbën jetën në malet e Shqipërisë. Prej vitesh, Shqipëria dhe Greqia bashkëpunojnë për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të ushtarëve të rënë gjatë luftës.

Në kuadër të përvjetorit, aktivitete përkujtimore u zhvilluan edhe në Varrezat e Ushtarëve Grekë në Këlcyrë, si dhe në shkollat e bashkive Dropull dhe Finiq.

Aktivitetet synojnë të ruajnë kujtesën historike dhe të përcjellin te brezat e rinj rëndësinë e kësaj date, që shënon një moment të rëndësishëm në historinë e Luftës së Dytë Botërore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›