E Diel, 1 Nëntor 2026

Droutsas: Dënojmë trazirat pas incidentit në Himarë

Tiranë, 18 gusht - Athina zyrtare dënon përdorimin e vrasjes së 35-vjeçarit nga Himara, Aleksandër Guma, si pretekst për të nxitur trazira në Shqipëri. Ministri alternativ i Punëve të Jashtme, Dimitris Droutsas, gjatë një interviste të dhënë dje për televizionin "Sky" ka bërë të qartë se Greqia distancohet nga të gjithë ata individë që po e keqpërdorin dhe po abuzojnë me ngjarjen e rëndë. Kreu i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, kanë mbështetur publikisht rebelimin e banorëve të Himarës që protestuan ditën e vrasjes së të ndjerit Guma, duke bllokuar mbi 13 orë rrugën nacionale Vlorë-Sarandë.

Për Droutsasin, ngjarje të tilla të dënueshme mund të ndodhin, por “unë theksoj edhe njëherë se dukuri të tilla janë duke u përdorur si një pretekst për të ndezur probleme nga persona të caktuar, që askush nuk i dëshiron” tha ai gjatë intervistës.

“Por, më lejoni të mos ndaj të njëjtin mendim me ata që janë duke i përdorur fenomenet e  tilla, që edhe njëherë e ritheksoj se janë krejtësisht të dënueshme, si pretekste për të nxitur trazira apo për t'u keqpërdorur nga disa individë. Për të abuzuar me fenomene të tilla dhe për të na krijuar të tjera probleme këtu (në Greqi), që askush nuk dëshiron të ndodhin”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›