E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtinë: Për prishësit e qetësisë së natës, masa të rrepta

Prishtinë, 18 gusht - Ndaj kafe-bareve, klubeve të natës dhe lokaleve tjera që nuk i respektojnë rregulloret komunale, dhe prishin rendin e qetësinë publike, do të merren masa të rrepta sipas rregulloreve dhe ligjit në fuqi.
Lidhur me mosrespektimin e rregullores komunale për tarifa dhe ngarkesa dhe
rregullores për respektimin e orarit të punës dhe ruajtjes së qetësisë publike, sot,
në KK të Prishtinës u zhvillua një takim midis drejtorit të Drejtorisë për Ekonomi dhe Zhvillim Lokal, Agim Dibrani, Komandantit të PK për regjionin e Prishtinës, Emin Beqirit, dhe drejtorit të Pallatit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bajram Ukës.
Në këtë takim u tha se në pjesë të ndryshme të qytetit, sidomos në zonën qendër (Pallati i Rinisë, rruga "Rexhep Luci", Bulevardi "Nëna Terezë" etj.) bizneset që ushtrojnë veprimtari shërbyese si kafe-bare dhe lokale të natës, nuk i respektojnë në masë të duhur rregulloret komunale, duke lëshuar muzikë të zëshme në orët e vona të natës, me ç’rast prishin qetësinë publike.
Komuna e Prishtinës do t'i pajisë këto biznese me leje të punës, sipas rregulloreve,
të cilat përcaktojnë kushtet e punës dhe orarin. Ato lokale që pajisen me leje të veçantë për të punuar pas orës 23.00, duhet të përmbushin kushte shtesë për mos prishjen e rendit dhe qetësisë publike.
Bizneset që nuk e respektojnë orarin e punës dhe nuk i plotësojnë kushtet e parapara me rregullore, do të gjobiten dhe do të t’i revokohen lejet e punës dhe do të mbyllen. Për kontrollimin e  bizneseve që nuk u përmbahen rregullave do të kujdesen pjesëtarët e PK-së dhe inspektorët komunalë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›