E Diel, 1 Nëntor 2026

"Dua të njihem me bukuritë shqiptare"

Zgjat duart për nga fotografia e tij e preferuar. Në sfond një varkë e një anije... Nëntor. Është mëngjes, herët. Ora shënon 06.30. Fotografi kroat, Ivo Pervan, pas 15 ditësh e netësh realizon shkrepjen që aq gjatë kishte pritur. (E kush e paska thënë se vetëm peshkatarët e kanë të kalitur durimin? Po fotografët, që për një çast sublim janë gati të presin edhe gjithë jetën?) E ngre në krahë dhe e tregon me krenari. "Ky është durimi, rrija aty dhe prisja duke peshkuar. Më duhej të kapja çastin, momentin perfekt për të shkrepur këtë foto. Ishte vërtet shumë ftohtë, por asgjë nuk ka rëndësi më shumë se sa kur bëhet fjalë për të realizuar atë që je duke pritur prej kohësh", thotë ai. E do vërtet atë foto. Por edhe të tjerat nuk i mënjanon. Menjëherë pas saj thotë: "Edhe kjo është e preferuara ime, edhe kjo, ja dhe kjo tjetra...". "Fotografi i Kroacisë" gjendet në Tiranë. Dje çeli në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozitën e titulluar "Ngjyra nga Kroacia". Prej pesë vitesh me këtë ekspozitë shëtitëse ka përcjellë imazhe nga vendi i tij në kryeqytetet e botës. Ka shkuar në Romë, Athinë, Varshavë, Londër, Oslo, Kejptaun, Paris, Kajro... Tani i ka ardhur radha edhe Tiranës.

Përse keni zgjedhur të realizoni pikërisht fotografi prej vendit tuaj, përse jeni fokusuar te peizazhet?

Mendoj se kjo mënyrë e të fotografuarit është një gjini e re e fotografisë. Prej këtyre fotove, vëzhguesi mund ta ndiejë shumë mirë edhe atmosferën kur është ngjizur, e cila përcillet deri tek ai. Është një kategori e re, një mënyrë e re për të prezantuar çdo vend, ashtu siç është në të vërtetë. Mundohem të përcjell elemente të vendit tim, të cilat janë realisht ashtu, pa i kamufluar, siç janë në të vërtetë. E reja mbetet gjithnjë te mënyra e të fotografuarit dhe ajo që dua të përcjell nëpërmjet saj. Ne jemi mësuar gjithnjë që të shikojmë fotografi të tilla me diell, qiell blu dhe det të kristaltë, por nuk është ky qëllimi.

Cili është ai?

Mua më pëlqen që nëpërmjet fotografive të përcjell të katërta stinët, dua të ketë aty mjegull, të ketë shi, borë, diell, gjithçka që është realitet, duke lënë mënjanë fotografitë klasike qiell blu e rreze dielli. Nëse unë arrij të përcjell atmosferën e duhur nëpërmjet fotografisë sime, atëherë është e sigurt se kjo është shumë më mirë për shpirtin e atij që e vështron.

Gjithsesi, përse jeni përqendruar në fotografitë në natyrë?

Mendoj se ky është pozicioni më i mirë i mundshëm për mua. Pak rëndësi ka nëse vendi juaj është më pak, apo më shumë i bukur se vendi im. Në krahasim me vendet e tjera, ne, Kroacia dhe Shqipëria mbetemi vende shumë të vogla e për këtë arsye mënyra se si ne e prezantojmë atë në sytë e të tjerëve është shumë e rëndësishme. Synimi është që vendi të prezantohet në një mënyrë të veçantë, ku të kemi mundësi të tregojmë pikërisht ato çfarë kemi të ndryshme prej të tjerëve, duhet të tregohemi unik. Për shembull, duke u mbështetur te qytetërimet e vjetra, siç janë Ilirët për ju, mund të kërkohen detajet që ju bëjnë të veçantë, për t‘i përcjellë ato me mënyrat që na ofron e tashmja.

Gjithnjë keni qenë i fokusuar në fotografimin e peizazheve?

Jo, jo gjithnjë. Peizazhet janë në qendër të vëmendjes, por unë fotografoj gjithçka që më duket e bukur, e këndshme për t‘u përcjellë nëpërmjet fotografisë.

Ju keni nisur të fotografoni në një moshë shumë të re, ishit vetëm 16 vjeç. Çfarë ju shtyu drejt kësaj rruge?

Sigurisht, kam nisur të fotografoj shumë herët, megjithatë profesioni im është ai i ekonomistit. Por ndodhi që në një moment të caktuar, të kuptoja se bukuria e të jetuarit në natyrë, ditë pas dite të ofron mundësinë të jesh pjesë e së bukurës. Kur jeton kështu syri yt arrin të shikojë vetëm të bukurën. Zoti më dha një dhuratë, një talent për të parë atë çka të tjerët nuk mund të shihnin. Atëherë nisa të mendoj se detyra ime ishte pikërisht kjo, të ndiqja talentin natyror dhe këtë bukuri që unë arrija të shihja e më pas t‘ua tregoja edhe të tjerëve, sepse shumë njerëz nuk e shikojnë të bukurën. Mendova t‘i kushtohesha fotografisë, sepse kuptova se kjo bukuri nuk është e rezervuar vetëm për mua, ajo është e të gjithëve, por me sa duket jo të gjithë mund ta shikojnë atë.

Në më të shumtën e rasteve, fotografët zgjedhin të shkojnë në vende si Afganistani, apo Iraku, për të realizuar atje fotoreportazhe. Ndërsa kolegët tuaj sjellin imazhe prej tmerreve të luftës, apo varfërisë, ju keni zgjedhur të sillni vetëm të bukurën. Përse kjo zgjedhje?

Ata kanë bërë këtë zgjedhje, ndoshta sepse ne (qeniet njerëzore) jemi mësuar më shumë të shikojmë të errëtën, të keqen që gjendet mes nesh. Kjo na pengon të bëhemi pjesë e së bukurës, e kështu që tërhiqemi më shumë prej ngjarjeve të tilla si lufta apo varfëria. E kështu duket se ato që janë shumë më pranë nesh, më të arritshme, më të prekshme nuk i interesojnë askujt. Mua po, më intereson e bukura.

A keni punuar me studentë të interesuar për artin e fotografisë?

Jo, jo nuk kam punuar në kuptimin e mirëfilltë të të mësuarit, apo të të dhënit mësim. Nuk e bëj këtë, sepse e shikoj si punë të vështirë. Janë të paktë ata që e bëjnë e po kaq të paktë ata që duan të mësojnë mirëfilli për fotografinë. Ajo që është e arritshme për të gjithë është natyra, ligji i saj, të cilin unë jam munduar ta ndjek. Por ka shumë njerëz që refuzojnë ta bëjnë këtë, e për pasojë edhe ta ndjekin këtë profesion.

Si do ta vlerësonit rrugën që fotografia ka bërë deri më tani, nëse do të bënit një krahasim me të shkuarën e të tashmen?

Jam i mendimit se fotografia është gjuha e re e komunikimit ndërkulturor, shumë e fuqishme madje. Nëse do të dëshirosh të flasësh me eskimezët më parë të duhet të njohësh gjuhën e tyre, nëse të duhet të flasësh me kinezët, duhet ta njohësh gjithashtu gjuhën e tyre, por nëse u tregon atyre vetëm fotografi, imazhe, atëherë nuk të nevojitet të njohësh gjuhën e askujt. Fotografia është ajo që flet vetë.

Ekspozita "Ngjyra nga Kroacia" ka bërë xhiron e botës. A keni realizuar fotografi nga vendet ku keni shëtitur me të?

Po, sigurisht, kam realizuar minimalisht rreth njëmijë foto, por kam arritur të realizoj edhe pesë mijë të tilla në secilin prej vendeve ku kam shkuar.

Kështu që do të realizoni fotografi edhe prej Shqipërisë, Tiranës?

Patjetër. Kam ndërmend të realizoj foto prej vendit tuaj. Kam shumë dëshirë të shikoj sa më shumë të jetë e mundur prej bukurive të Shqipërisë. Do të më pëlqente të njihesha me to.

A keni pasur mundësi të njiheni me fotografi të vjetra, apo me mjeshtër të fotografisë shqiptare?

Në të vërtetë ende nuk e kam pasur këtë rast, megjithatë shpresoj se sot do të kem mundësi të njihem me fotografinë shqiptare dhe mjeshtrit që kanë lënë shenjë në të.

Ju jeni cilësuar "Fotografi i Kroacisë", mendoni se keni dhënë mjaftueshëm për vendin tuaj?

Kam dhënë sa kam mundur dhe do të vazhdoj të jap akoma. Arti nuk rresht asnjëherë. Çdo ditë realizoj fotografi të reja.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›