E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dua të shes veshkën

“Doktor, di gjë sa kushton një veshkë? Dua ta shes timen”. Kërkesë disi e çuditshme, por mbi të gjitha e dhimbshme dhe reale. Tashmë që transplanti i veshkës ka filluar të bëhet në sektorin privat dhe shpejt do të realizohet edhe në sektorin publik, mjekët theksojnë se me kërkesa të tilla ndeshen shpesh dhe i tremben ndonjë skandali dhe tragjedisë që mund të lindë nga abuzimet e tregtisë së organeve.

Të ndodhur përballë kësaj frike, shefi i shërbimit të Nefrologjisë dhe drejtuesi i realizimit të transpaltit të veshkës, Nestor Thereska, kërkon që të hartohet kuadri i duhur ligjor për të parandaluar çdo lloj abuzimi. Gjithashtu, ai theksoi se shërbimi që ai drejton do të pranojë vetëm dhurues familjar dhe askënd tjetër.

Tashmë, transplanti i veshkave ka filluar të bëhet në sektorin privat dhe së shpejti to të realizohet edhe në QSUT. I pyetur si kanë reaguar të interesuarit ndaj kësaj risie në vendin tonë, Dr. Thereska thotë: “Sigurisht që realizimi i transplantit për herë të parë në vendin tonë është një arritje. Tashmë ai realizohet në spital privat, por shpejt do e kemi edhe në sektorin publik. Dua të theksoj se kujdesi në këtë drejtim kërkohet të jetë maksimal, pasi mund të ketë edhe abuzime me pasoja tepër të rënda, sidomos mbi kurrizin e të varfërve, të cilët mund të ofrojnë veshkat e tyre në shitje”.

Doktor, ka ndodhur të jeni përballur me ndonjë kërkesë të tillë?

Po. Në fakt kanë filluar njerëzit të marrin vesh se bëhet transplanti dhe mua personalisht më ka ndodhur të gjendem para kërkesave të personave që duan të shesin veshkën.

Ka njerëz të varfër që duan ta shesin veshkën dhe kur këmbëngul që duhet të ketë një ligj strikt për këtë punë, kam parasysh pikërisht mbrojtjen e tyre. Pikërisht mbi këta mund të fillojnë abuzimet.

Më kujtohet një rast kur më erdhi një ushtarak dhe më takoi te shkallët e pavijonit. Dukej goxha burrë. “Ju jeni profesor Thereska”?, - më tha. Po i thashë, -duke i kërkuar të më thoshte se çfarë halli kishte. Ai u fut direkt në temë. “Të lutem shumë, unë punoj oficer në Krujë, dua të shes veshkën. Di gjë sa është çmimi, sepse dua të martoj djalin dhe më duhen ato para”, - më tha pa iu trembur syri.

Iu përgjigja se kjo nuk ka për të ndodhur kurrë këtu. Më kanë kapur edhe të tjerë, duke më thënë se kishin dëgjuar në media që diku në Indi a në Pakistan, të varfrit e shesin veshkën kundrejt çmimeve qesharake.

Unë nuk dua që kjo të ndodhë edhe këtu. Kam dëgjuar edhe në Indi dhe Pakistan, që, moshat e vogla i detyrojnë prindërit me çmime qesharake fare, për të shitur veshkën. Unë e theksoj se kjo nuk dua të ndodhë kurrë në vendin tonë, ndaj insistoj se dhurimet duhet të jenë vetëm familjare.

Sa i takon kuadrit ligjor ekzistues, a ofron siguri që të mos ketë abuzime me transplantet?

Pikërisht. Gjithmonë kam qenë i shqetësuar për kuadrin ligjor për transplantin, duke dëgjuar edhe ngjarje te ndryshme.

Pikërisht në këtë drejtim, nga viti 1994-1996 punova me një grup kolegësh shiptarë dhe të huaj, dhe bëmë një ligj të transplantit, të cilin ministri i Shëndetësisë i asaj kohe, Maksim Cikuli, e futi dhe e aprovuan në Kuvend. Por tani që u futën transplantet, kam dashur gjithmonë që ky ligj të shikohej më thellë. Akoma kam idenë se thellësisht nuk është parë ky ligj.

Ka dy probleme. Së pari ligji është shumë i rreptë, sidomos kur bëhet transplanti nga kadavra (nga i vdekuri), ku mund të abuzohet. Ne, në vendin tonë, kam idenë se të paktën edhe për 10 vjet nuk mund të bëjmë transplant nga kadavra.

Është shumë i vështirë, pasi ka procedura dhe kërkon teknologji shumë të përparuar. Ndërsa metoda e dytë është nga i gjalli tek i gjalli. Në këtë drejtim unë kam insistuar që të dhurojnë veshka vetëm familjarët. Pra, vetëm nënë, baba, motër dhe vëlla, të tjerët nuk kam pranuar në asnjë mënyrë. Dhe në këto raste kam kërkuar që të merret dokumentacioni i plotë si, certifikata e trungut familjar, pasaporta dhe çdo gjë tjetër që verifikon se janë familjarë. Në të kundërt nuk do pranohet askush për transplant.

Cili është mesazhi juaj për ata që duan të dhurojnë veshka kundrejt çmimeve apo ndonjë favori tjetër?

Në Qendrën Spitalore Universitare, “Nënë Tereza”, as mos t’u shkojë nëpër mend se do të ndodhë kjo. E ritheksoj se do pranohen vetëm familjarët që duan të dhurojnë veshkën. Të paktën, vitet e para kështu do të aplikohet, deri sa të forcohen laboratorët që mund të jenë korrekte për dhurimet nga të vdekurit, deri sa të forcohet ligjshmëria dhe sa të marrë një qytetari problemi i transplantit, kjo do lejohet vetëm nga familjarët. Unë, kategorikisht nuk pranoj, në shërbimin që drejtoj, dhurues veshka jashtë trungut familjar.

Nipi i Ramiz Alisë është shqiptari i parë që iu bë transplant

Propaganda e asaj kohe ishte që transplanti i veshkave nuk realizohet as në vendet e huaja. Ndonëse profesorët e dinin shumë mirë këtë, duhej të bënin sikur nuk e dinin dhe këtë t’ua përcillnin edhe të tjerëve, pasi transplanti nuk do të ishte i mundur për askënd, edhe nëse familjarët dhuronin. Sipas profesor Nestor Thereskës, para viteve ’90 nuk guxuan kurrë t’u thoshin pacientëve, qoftë këta edhe intelektualë me vlera, se transplanti i veshkave realizohet. Por, nga ana tjetër, vetë drejtuesit e asaj kohe, për të afërmit e tyre, i mundësuan këto ndërhyrje dhe kërkuan me doemos që të mbaheshin top-sekret.

Kështu, profesor Thereska rrëfen për herë të parë për gazetën se kush ishte personi i parë në vendin tonë që realizoi transplantin e veshkave jashtë shtetit. “Ishte nipi i Ramiz Alisë që iu nënshtrua transplantit të veshkave nëvitin 1982, në një spital të Berlinit, në Gjermani”, - thekson Thereska, duke shtuar se në atë kohë, kurrë nuk guxuan ta bënin publik këtë rast. Sipas tij, dhurues mban mend të ketë qenë i ati ose e nëna e tij. “Di që deri në vitin 1987, kur erdhi doktori gjerman që i kishte bërë transplantin, jetoi pa asnjë problem. Mbaj mend që porosia nga Ramiz Alia ishte të mos fliste askush dhe të mbahej sekret. Unë e prita mjekun gjerman dhe më tha se i ka ecur me sukses operacioni, por nuk di gjë se si ka vajtur më vonë shëndeti i tij pas vitit 1987”,- pohon Thereska.

Ndërkohë, ai rrëfen momentet e vështira kur i duhej të gënjente edhe vetë kolegët e tij të shëndetësisë, se transplanti nuk realizohej. Sipas tij, në vitin 1976 lindën probleme me dy pedagogë dhe doktorë shumë të nderuar të Fakultetit të Mjekësisë, të cilët e bënë problem deri tek ministri i Shëndetësisë i asaj kohe, Llambi Ziqishti, dhe tek Ramiz Alia. Ata ishin përgatitur, sepse gratë e tyre mjeke, profesore, ishin të gatshme të jepnin veshkën për burrat e tyre.

“Llambi Ziqishti që drejtonte shëndetësinë dhe Ramiz Alia, u thanë grave të mjekëve se s’mund të shkojnë për transplant tek doktor Thereska dhe, nëse do isha unë dakord, do t’i çonin që nesër jashtë shtetit. Ndërkohë, ato ende pa dalë nga dera e Ministrisë, mua më morën në telefon dhe më thanë se unë duhej t’u thosha grave se nuk bëhet transplanti as jashtë”, - pohon Thereska, duke shtuar se porosia ishte se, në të kundërt, do të kishte pasoja, pikërisht mbi të, ndaj u detyrua t’u thoshte se nuk bëhet transplanti i veshkave as jashtë shtetit.

Komshiu dhurues, gënjen se ishte i vëllai

Aty ku transplanti i veshkave është bërë fakt, për vendin tonë kanë filluar edhe problemet e para me dhuruesit e veshkave. Drejtoi i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu, pohon se janë përballur me persona që gënjejnë sikur janë familjarë, por në fakt nuk e kanë asgjë personin që do t’i japin veshkën.

“Rasti i fundit ishte kur disa persona erdhën dhe kërkuan të bënin transplantin. Dhuruesi thoshte që është i vëllai, por kur i kërkuam dokumente, nuk rezultoi kështu. Në fakt, ishte komshiu”,- pohon Allajbeu, duke shtuar se për këtë rast kërkuan hetime nga organet kompetente. Por problemi është se raste të tilla, sipas tij mund të ketë përsëri ndaj ligji duhet të jetë strikt në këtë drejtim.

“I trembemi ndonjë skandali me pazaret që mund të bëhen me organet e njerëzve, të cilat edhe mund të kenë filluar, ndaj kërkojmë që të merren masa para se të ndodhin”,- thekson Allajbeu.

Spahia: Nuk realizojmë dot hetime për dhuruesit

Strukturat përgjegjëse duhet të marrin masa që të mos ketë abuzime në lidhje me transplantet e veshkave, pasi Ministria e Shëndetësisë merr përsipër vetëm aspektin mjekësor dhe hetimet që kanë të bëjnë se e kujt është veshka dhe nga e kanë marrë personat e interesuar. Kështu u shpreh drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Bardh Spahia, i cili theksoi se hetime të detajuara mund të bëjnë vetëm organet e specializuara. “Në rastin e transplanteve në Shqipëri, dhurimet janë vullnetare, por ligji lejon edhe dhurime që nuk janë nga familjarët. Sigurisht që mund të ketë edhe abuzime në këtë drejtim, ndaj dhe kërkohet kujdes”,- pohon Spahia. Ndërkohë, ai thekson se po rishikohet ligji për dhurimet nga kadavra, por realizimi i transplantit nga persona të vdekur, është shumë i vështirë dhe kërkon më shumë kohë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›