E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identifikohen katër viktimat e aksidentit

Katër persona kanë humbur jetën mëngjesin e sotëm në një aksident automobilistik. Pas hetimeve për ngjarjen, policia ka mundur të bëjë identifikimin e viktimave. Ata janë emigrantë shqiptarë që punojnë e jetojnë në Itali. Viktimat janë Orjent Muca, 25-vjeç, Ilir Haxhi 28-vjeç, Redi Pina, 19-vjeç, dhe Lorenc Pina, 28-vjeç, të gjithë nga qyteti i Durrësit. Sipas të dhënave policore, ata ishin rikthyer në atdhe për të festuar festat e fundvitit me familjarët. Në momentin e aksidentit, makina drejtohej nga 28-vjeçari Lorenc Pina.

Ngjarja ndodhi në rrugën Fushë Krujë-Vorë, kur makina me të cilën ishin duke udhëtuar ka dalë nga rrugë në vendin e njohur si “Ahmetaq”.

Devijimi nga rruga dhe më tej përplasja ka qenë shumë e fortë, aq sa të 4 udhëtarët që ishin brenda makinës kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia bën me dije targën e automjetit të përfshirë në aksident, një makinë me targa të huaja AV 066 YK.

Grupi i ekspertëve të mbërritur në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet për të zbardhur shkakun e aksidentit të rëndë, ndonëse të dhënat e para tregojnë se ai mund të ketë ardhur si pasojë e shpejtësisë, ose lagështisë së rrugës, gjë që ka cuar në përplasjen e automjetit me një reklamë anësore të austradës.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›