E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duam Referendum!

Disa parti të vogla kërkojnë që sistemi I ri zgjedhor të jetë një vendim për të cilin të vendosë populli

Ideja e referendumit popullor për reformën zgjedhore ende shihet si një mundësi nga disa parti të vogla, por kundërshtohet nga juristi Spiro Peçi. Kryetari i PDS-së, Paskal Milo dhe presidenti i PAD-së, Neritan Ceka të pyetur nga “Korrieri” nuk e përjashtuan mundësinë e thirrjes së referendumit nëse ndryshimet kushtetuese të propozuara nga dy partitë e mëdha miratohen. Në krahun tjetër, deputeti i PBDNJ-së, në komisionin e ligjeve Spiro Peçi e shikon si të vështirë zgjidhjen e sistemit zgjedhor dhe detajeve të jtera të reformës zgjedhore me votën e popullit. “Referendumi thjesht për reformën zgjedhore është i vështirë të realizohet. Kur flitet për sistemin si thua dot popullit për kë je. Referendumet janë me po ose me jo. Referendumit për një projektligj mund t’i përgjigjesh me po ose me jo. Por për reformën zgjedhore më duket e vështirë, në një kohë kur edhe një pjesë e deputetëve nuk i dinë ndryshimet e sistemeve aq më tepër të pyesësh popullin pastaj”- i tha “Korrierit”, juristi Peçi. Sipas logjikës së tij, një pjesë e mirë e qytetarëve nuk kanë njohuritë e duhura për të përzgjedhur të mirat dhe të këqijat e sistemeve zgjedhore dhe detajet e tjera të reformës zgjedhore. Madje sipas tij edhe një pjesë e deputetëve nuk i njohin aq mirë dallimet dhe efektet. Por, gjithesi ideja e hedhur nga të gjitha partitë e vogla pak muaj më parë, sipas Paskal Milos dhe Neritan Cekës, ende mbetet në fuqi. “Ideja e referendumit qëndron ende. Por mbetet për t’u parë se çdo të ndodhë me propozimet. Mbetet për t’u parë nëse do t’i kenë votat. Disa deputetë të PD-së i kanë kundërshtuar propozimet”- thotë kryetari i Demokracisë Sociale. Edhe Neritan Ceka shpreson ende për moskalimin e propozimeve të dy partive të mëdha, por në të kundërt thekson se të vegjlit do të përdorin të gjitha procedurat parlamentare, përfshi edhe referendumin. “Do ndiqen të gjithë proçedurat, do të shohim edhe për referendumin. Për momentin mendojmë se nuk ka shanse të kalojë rrëmuja kushtetuese. Synimi jonë tani është të mos kalojnë dhe të arrijmë të bindim deputetët se ato janë në dëm të Shqipërisë. Jemi për ndjekjen e të gjitha procedurave kushtetuese pastaj”- u shpreh Neritan Ceka. Të gjitha partitë e vogla pas tryezave të zhvilluara me përfaqësuesit e tyre ishin më parë në një mendje për kundërshtimin e vullnetit të shumicës së kartonëve parlamentarë të dy partive të mëdha duke kërkuar referendum popullor. Kësaj ideje, së fundi, “të vegjlit” nuk po i mëshojnë ashtu si më parë, por thjesht e kanë përmendur nëpër rreshtat e deklaratave të tyre për shtyp. Gjithesi ky opcion merr një “goditje” nga juristi Spiro Peçi, që mendon se as një pjesë e deputetetëve nuk i njohim mirë sistemet e jo më qytetarët.  saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›