E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jemi kundra, por do votojmë pro

Deputetët demokratë thonë se pavarësisht ekzistencës së pakënaqësive rreth propozimeve socialiste, ata do ruajnë unitetin në votim

Me gjysmëzemre vërtet, por vendimi për pranimin e propozimeve të Partisë Socialiste për ndryshimin e sistemit zgjedhor, tashmë duket se po zë vend brenda Partisë Demokratike. Sikurse konfirmohet nga disa deputetë të Partisë Demokratike, grupi i cili kundërshtoi në mbledhjen e pak ditëve më parë propozimet e PS-së për ndryshimin e sistemit zgjedhor, nuk do të ndikojë negativisht në ecurinë e reformës zgjedhore. I pyetur në lidhje me debatet dhe kundërshtime brenda grupit parlamentar demokrat, deputeti Preç Zogaj tha se ai dhe kolegët e tij tjetër logjikë përdorin rreth një çështjeje kur ajo diskutohet në grup dhe krejtësisht tjetër kur ajo hidhet për votim. “Kjo është dialektika e politikës dhe diskutimeve në grup por kur të shkohet për të votuar është tjetër gjë”, tha Zogaj.

Duke folur për “Korrierin”, deputeti Zogaj shpreh besimin se do të shkohet drejt një mendimi përfundimtar të përbashkët brenda grupit të Partisë Demokratike, edhe pse ka patur kundërshtime nga ana e një grupi deputetësh. “Partia Demokratike mendon se reforma duhet të vazhdojë me Partinë Socialiste por edhe me partitë e tjera padiskutim, por në radhë të parë me PS-së. Opsionet e paraqitura duhen diskutuar. Besoj se do të shkohet drejt një mendimi të përbashkët” ka thënë Zogaj, i cili gjatë diskutimeve të dy ditëve më parë mësohet se ka qenë një ndër kritikët e këtyre propozimeve. Ndërkohë nënkryetari i grupit parlamentar demokrat, Ilir Bano thotë se beson se deputetët janë sqaruar lidhur me propozimet e Partisë Socialiste, dhe tashmë gjithçka po shkon në rrugën e duhur.” Është një gjë normale që të analizohet dhe të dilet me një vendim të përbashkët” ka thënë nënkryetari i grupit parlamentar të PD-së, Ilir Bano. Sipas tij, pakënaqësitë e shfaqura nga deputetët e Partisë Demokratike nuk do të paraqesin ndonjë problem për çështjen e votimit. Ai thotë se vendimi i deputetëve demokratë do të jetë i përbashkët ashtu sikurse dhe votat në momentet kur propozimet do të paraqiten për votim në parlament. Pak ditë më parë, në një mbledhje me dyer të mbyllura grupi parlamentar demokrat diskutoi lidhur me propozimet e Partisë Socialiste për ndryshimin e sistemit zgjedhor nga ai miks, mazhoritar dhe proporcional në atë proporcional rajonal. Gjatë mbledhjes, një numër i madh deputetësh e kundërshtuan ndryshimin e sistemit me arsyen se ky sistem dëmton Partinë Demokratike dhe favorizon më shumë Partinë Socialiste. Pas mbledhjes, edhe pse kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi doli në konferencë për shtyp dhe deklaroi qëndrimin e Partisë Demokratike pro këtyre ndryshimeve, disa nga grupi i deputetëve të pakënaqur thanë për “Korrierin” se kryeministri Berisha e kishte lënë këtë çështje akoma të hapur për diskutim. Ndërkohë, pak nga pak duket se numri i kundërshtarëve demokratë për sistemin e propozuar nga PD-ja po ulet dhe po shkohet në një qëndrim të përbashkët derisa të vijë momenti i votimit në parlament. Edhe pse ka patur kundërshtime lidhur me propozimet e PS-së por edhe me ato të vetë PD-së, sërish deputetët demokratë hedhin poshtë mundësinë e ekzistencës së fraksioneve apo grupimeve brenda Partisë Demokratike dhe kundërshtimet e tyre ata i kanë cilësuar vetëm si “diskutime”. 

Kundërshtuan propozimet

Sali Shehu

Preç Zogaj

Edi Paloka

Aleksandër Biberaj

Gëzim Karapici

Rexhep Uka

Sami Gjergji

Ndriçim Babasi

Jemin Gjana

Pal Dajçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›