TIRANË - Edhe pse prindër e nxënës bashkë janë shprehur se skema e shpërndarjes së fondeve të kompensimit të teksteve shkollore pati shumë probleme, Ministria e Arsimit njoftoi dje, se edhe vitin e ardhshëm akademik do të procedohet po njëlloj. Kështu, gjatë një konference për shtyp, zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata dhe drejtori i Përgjithshëm i Postave, Arqile Gorea, thanë se në fund të muajt mars u shpërndanë 88 deri 90 për qind e fondit të parashikuar për kompensim, ndërsa pritet që deri në fund të muajt prill shpërndarja të shkojë në 93 për qind të 2.5 milionë eurove, që është vlera totale e fondit të kompensimit për këtë vit. Shamata bëri me dije se, “në ndryshim nga viti 2006, kur subvencioni u jepej shtëpive botuese dhe u shpërndanë vetëm 73 për qind e fondit përkatës prej 2.2 milionë eurosh, me skemën e re të vitit 2007 prindërve të nxënësve iu shpërndanë përmes sporteleve të postës 88 deri 90 për qind e fondit të planifikuar. “Skema e re synon kalimin e vlerave të kompensimit të teksteve shkollore në duart e prindërve dhe nxënësve”, tha ai. Lidhur me përqindjen e shpërndarjes së fondit të kompensimit, Shamata theksoi se pothuaj në të gjithë zonat ku ka pasur një ndjeshmëri më të lartë për këtë proces, si në Kukës, Has, Bulqizë, Mat, Tepelenë, Gramsh, Peqin, Kuçovë dhe Skrapar, shpërndarja ka shkuar deri në 100 për qind e fondit të parashikuar. Ndërsa në disa qytete kryesore të vendit, si në Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Fier, Vlorë etj., rreth 7 për qind e përdoruesve të teksteve shkollore nuk preferuan të tërheqin kompensimin e garantuar për ta.
Si ishte dhe si është vlera e tekstit
Sipas skemës së vitit 2006, vlera e tekstit ishte 300 lekë, por shtëpia botuese shënonte në ballinën e pasme të tekstit çmimin 150 lekë dhe merrte koston e plotë nga subvencioni që merrte nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pra 150 lekët e mbetura. Në shpërndarjen e subvencionit nuk u shmangën dot abuzimet, në kuptimin që jo të gjithë fondet që u shkonin shtëpive botuese apo u përgjigjeshin kërkesave dhe specifikimeve teknike të dhëna nga MASH. Nga ana tjetër, ishte e hapur mundësia që teksti të shtypej nën kosto dhe pa parametrat e kërkuar. Bazuar në këtë skemë, subvencioni në vitin 2006 u shpërnda në rreth 73 për qind të fondeve të planifikuara për subvencionimin e teksteve shkollore. Ndërsa sipas skemës së vitit 2007, teksti e ka vlerën e kostos 300 lekë dhe shtëpia botuese vendos në kopertinë çmimin real, pra 300 lekë. Pastaj ajo e prodhon tekstin sipas kësaj kostoje me të cilën është konkurruar dhe certifikuar. Fondet e planifikuara shkojnë tek përdoruesi, duke mënjanuar mundësinë për abuzim. Bazuar në këtë skemë, subvencioni në vitin 2007 u shpërnda në rreth 90 për qind e 2.5 milionë eurove fondeve të planifikuara për kompensimin e teksteve shkollore.