Duam rishikim, PS nuk voton kodin detar e hekurudhor
Ndryshe nga sa ndodhi një ditë më parë, kur opozita dha votën pro në aprovim për kalimin e kodit rrugor, në komisionin e veprimtarisë prodhuese, opozita nuk ka dhënë votën pro në parim kodin detar dhe atë hekurudhor. Ndërsa është debatuar mes mazhorancës dhe opozitës për këto kode, deputeti socialist Blendi Klosi tha se këto ligje duhen parë me më shumë vemëndje edhe për impaktin që ato kanë për qytetarët dhe jo thjesht si ligje që vijnë për tu kaluar në Parlament.
Nga ana e tij, kryetari i këtij komisioni Jemin Gjana tha se opozita nuk ka vullnet për të bashkëpunuar për kalimin e ligjeve duke u përpjekur të nxjerrë pretekste për të mos dhënë votën e saj pro këtyre ligjeve që kanë dy vite në Parlament.
Në fund, komisioni vendosi që dy kodet që ishin parashikuar të kalonin nen për nen në këtë mbledhje, të shtyhen për diskutim për të hënën e ardhshme, pasi opozita pritet të sjellë amendimet e saj për to.