Bayern vazhdo kështu

Xherdan Shaqiri i ka këshilluar shokët e skuadrës në Bayern Munich që të mbeten të fokusuar pas fillimit të shkëlqyeshëm të sezonit. Gjiganti bavarez e ruajti rekordin prej 100-përqindëshit në Bundesligë, pas fitores 2:0 ndaj Werder Bremenit, ndërsa e hapën mjaft mirë edhe kampanjën në Ligën e Kampionëve, ku e mundën Valencian me rezultat 2:1.
Përfaqësuesi zviceran po e jep kontributin e tij në formën e mirë të Bayernit, pas një sezoni zhgënjyes të kaluar, pa fituar asgjë. 20-vjeçari thotë se ekipi i Jupp Heynckes nuk duhet ta humbasë koncentrimin në javët e ardhshme.
“Duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë. Shpresoj ta fitojmë Bundesligën, por është një rrugë e gjatë përpara nesh. Për momentin, gjërat po shkojnë mjaft mirë. Jemi në krye të tabelës dhe gjërat po duken mirë, por ne e dimë se sa lehtë mund të ndryshojnë gjërat në futboll. Kjo është vetëm se si po shkojnë gjërat për momentin”, deklaroi Shaqiri për uebfaqen bundesliga.com.
“Natyrisht, statistikat po duken pozitive, por çka është e rëndësishme për ne është që të jemi në krye në fund. Për të ndodhur kjo, duhet ta ruajmë koncentrimin dhe të punojmë fort, siç kemi bërë deri tash. Shumë shpejt vjen edhe Championsi, kështu që duhet t’i qasemi njëjtë, si në takimet e fundit”, vazhdoi ai.
‘Shaq’ kontribuoi me një asistim, në fitoren ndaj Bremenit. Ai ndihet i lumtur që e ndihmoi ekipin ‘Die Roten’, për t’i grumbulluar tri pikët e reja, në luftën për titull.
“Kur jam në fushë, gjithmonë e jap më të mirën dhe jap gjithçka për ekipin. Mendoj se edhe lojtarët e tjerë e ndiejnë të njëjtën gjë. Çdo ndeshje është emocionuese kur e fiton atë. Ishte e vështirë të merrnim pikë në Bremen, por në fund ishim më të vendosur se që ishin ata”, vijoi Shaqiri.
“Dëshira për fitore e bëri të veten në fund. Në pjesën e parë, të dyja skuadrat kishin raste. Ishte e vështirë të krijonim raste, sepse Bremeni ishte mjaft defanziv. Në pjesën e dytë, ne donim që gjërat të ndryshonin dhe natyrisht jemi të lumtur që shënuam dy gola, pa pësuar”, përfundoi ai.
Xherdan Shaqiri është transferuar në Bayern nga Baseli, gjatë kësaj vere. Ai nuk është pjesë e rregullt e formacionit bazë, por kur iu dha rasti, nuk ka zhgënjyer asnjëherë.