E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duhani dhe ata që nuk e pinë

Endrit Avdullari

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) rreth 39% e shqiptarëve janë duhanpirës. 60% e meshkujve dhe vetëm 18% e femrave janë përdorues të rregullt të cigares. Shifra nuk është aq alarmuese sa tingëllon sidomos po t`a krahasosh me fqinjët. Greqia, Italia, Turqia, Kroacia dhe Maqedonia janë mbi Shqipërinë në këtë renditje. Greqia është vendi ku konsumohet më tëpër cigare për frymë në botë ku një i rritur pi mesatarisht mbi 3.000 cigare në vit nga vetëm 1.200 në Shqipëri. Të dhënat janë të diskutueshme për shkak të egzistencës së kontrabandës por ky fenomen është i pranishëm dhe në vendet e rajonit ndaj këto shifra japin gjithsesi një orientim të pranueshëm statistikisht.

Në Shqipëri ndalohet me sukses reklamimi i duhanit dhe ndalohet me ligj (dmth pa sukses) pirja e duhanit në vende të mbyllura publike. Ligji dështoi që në muajt e parë të daljes në fuqi ku gati 200 inspektorë të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) nuk arrinin të vilnin gjobat e vendosura nëpër subjektet ku pihej duhan në ambiente të mbyllura as ngjitur me kryeministrinë apo brenda në spitale! Rreth 20 milionë lekë nga buxheti shpenzohen për këta nëpunës që nuk e kryejnë punën e tyre siç i detyron ligji.

Përveç fushatave sensibilizuese që mbeten të vakëta, e vetmja mënyrë efiçente për të ulur numrin e duhanpirësve është rritja e çmimit. Kjo sigurisht kundërshtohet nga duhanpirësit dhe nga tregtarët e duhanit por kjo s`duhet të shërbejë si pengesë. Kushdo që ndot ambientin dhe kërcënon shëndetin duhet ndaluar. Këto nisma kanë hasur në qëndresë të fortë edhe në shtete ku duhanpirja ishte pjesë e kulturës popullore si p.sh. në Turqi apo në Mbretërinë e Bashkuar po kjo s`i ka penguar ato vende t`a zbatojnë ligjin me përpikmëri në shërbim të shëndetit publik (i cili për fat të keq në rastin tonë nuk mbrohet as nga vetë ISHP).

Ndryshimi i madh mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit apo Bashkimit Evropian është se tek ne taksa mbi duhanin është ndjeshëm më e ulët. Në Shekulli-n e datës 3 Tetor, E. Senja vërente që taksa mbi duhanin është rreth 40% e çmimit të cigares. Në fakt Italia, Greqia dhe Turqia e kanë këtë taksë mbi 50%. Ka vende që e kanë akcizën deri në 70% të çmimit. Shteti nuk mund të shqetësohet për faktin që më pak se gjysma e shqiptarëve preket nga kjo taksë pasi kostot e duhanpirjes në ekonomi sipas OBSH janë shumë më të larta po të llogarisësh shpenzimet për kura në spitale, zjarret aksidentale, lejet nga ditët e punës etj. Nëse duhanpirësve nuk u pëlqen kjo, le t`a lënë cigaren!

Gjithashtu argumenti se kjo mund të ulë të ardhurat e shtetit është qesharak. Kuptimi i taksës mbi duhanin është që të shkurarojë konsumin e cigars, jo të gjenerojë të ardhura, ndryshe s`do kishte arsye pse të kishte fare taksë shtesë mbi duhanin krahasuar me çdo produkt tjetër. Do të ishte e kuptueshme që akciza mbi duhanin të rritej me 10% për të përballuar uljen (apo heqjen) e TVSH-së mbi miellin, ilaçet dhe produkte të tjera bazë që prekin të gjithë shqiptarët, sipas propozimit të PS-së në kuvend. Llogjika sugjeron që nëse nuk mund t`i ndalojmë duhanpirësit të dëmtojnë shëndetin e tyre dhe të na e fryjnë tymin në fytyrë, të paktën t`i taksojmë që të paguajnë ata për shpenzimet tona spitalore.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›