Duhen arrestime
Express: Z. Haziri, jeni kryetar i Komisionit për Integrime Europiane dhe ishit në Bruksel kur Kosovës iu dha Udhërrëfyesi. Deri ku ka shkuar procesi i liberalizimit të vizave, sipas jush?
L. Haziri: Me marrjen e Udhërrëfyesit, procesi i liberalizimit të vizave ka marrë drejtim drejt përmbushjes së detyrave teknike nga ana e Kosovës. Tash, Qeveria e Kosovës duhet të ndërtojë sektorë të veçantë ndërministrorë, të cilët do të duhej të merreshin me implementimin në baza ditore të detyrave. Ky ekip pritet të formatizohet këto ditë nën udhëheqjen e Ministres Çitaku. Ndërsa roli i Parlamentit në këtë proces do të jetë monitorues dhe mbikëqyrës, i cili mbi baza të rregullta do të bëjë mbikëqyrjen e të gjitha detyrave, e në veçanti riatdhesimin dhe me detyra të tjera, sipas kërkesave, siç është rendi publik dhe menaxhimi i kufijve.
Express: Por, a është e aftë kjo Qeveri ta çojë përpara procesin e liberalizimit?
L. Haziri: Problemi i parë dhe kryesor në raport me Brukselin ka qenë mosnjohja e pesë vendeve anëtare të BE’së. Si problem i brendshëm, ka qenë përdorimi i procesit të liberalizimit të vizave si slogan zgjedhor që ka bërë që të këtë ngecje në këtë proces. Por, përfundimisht nga dhjetori i vitit të kaluar, që i bie qe shtatë muaj, është i qartësuar dhe tash procesi varet se sa Kosova i plotëson kriteret për të arritur të përfshihet në listën e bardhë të Schengenit. Problem serioz është që qytetarëve duhet t`iu sqarohet se liberalizmi i vizave dhe marrja e Udhërrëfyesit është fillimi i fundit i proceseve që nuk nënkupton të drejtën e lëvizjes, sepse perceptimi në publik është i tillë. Dhe, nën dy, duhet një koordinim ndërinstitucional shumë i madh, në mënyrë që konsensusi politik të ruhet dhe që rruga të shkurtohet. Brukseli është përshkrues i detyrave dhe në të njëjtën kohë është monitorues i procesit dhe në fund vlerësues i të arriturave. Të tri shkallët BE’ja i ka në dorë. Roli i Kosovës është për t`i kryer detyrat dhe për t’i përmbushur të gjitha obligimet.
Express: A ka kapacitete kjo Qeveri për këtë proces?
L. Haziri: Qeveria, e vetme, nuk mundet assesi dhe në asnjë formë ta realizojë këtë rrugë. Më së shumti këtij procesi i ka ndihmuar konsensusi politik. Në këtë proces janë përfshirë të gjitha partitë politikë, grupet etnike dhe komunat, pa dallim. Zgjedhja e Ministres Çitaku në këtë resor dhe ndryshimi i qasjes ndaj procesit dhe rritja e rolit të Parlamentit i ka dhënë dimension krejt tjetër këtij procesi. Fundja, njëra prej vlerësimeve që Komisarja Malmstrom dhe Komisari Fule e kanë bërë në raport me Kosovën, është që konsensusi politik është arritur pa ndërmjetësim ndërkombëtar, pa presion dhe pa dialog të vështirë në mes të pozitës dhe opozitës.
Intervistën e plotë mund ta lexoni në Express...