Duhet shkollë edhe për fëmijët autikë

Shoqata e prindërve të fëmijëve autikë ngre padi ndaj MASH. Duhet të krijojë programe shkollore për këta fëmijë
MASH-it i kërkohet hartimi i një strategjie afatgjatë për arsimimin dhe integrimin e fëmijëve të prekur nga autizmi
Shoqata e "Prindër kundër autizmit" ka thirrur në gjykatë Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, për t'i shpjeguar se përse nuk ka hartuar ende një program shkollor për këta fëmijë.
Të hënën që lamë pas në Gjykatën e Tiranës prindërit janë përballur me MASH-in. Në muajin prill, kjo shoqatë i ka nisur MASH-it një kërkesë zyrtare, nëpërmjet të cilës i kanë kërkuar hartimin e programeve mësimore të posaçme për fëmijët autikë.
Janë një numër i konsiderueshëm fëmijësh autikë që këtë vit mbushin moshën për të shkuar në shkollë, por për shkak të mungesës së programeve të përshtatshme për ta, nuk do të frekuentojnë dot shkollën.
Më tej, akoma ka nga ata fëmijë që e kanë mbushur moshën shtatë, tetë apo nëntë vjç, të cilët e kanë humbur një herë e përgjithmonë mundësinë e shkollimit njësoj si fëmijët normalë.
Ilgen Çela, kryetare e shoqatës "Prindër kundër autizmit" tregon se në muajin prill kjo shoqatë i ka paraqitur MASH-it një listë me kërkesa, ku ndër të cilat hartimi i një strategjie afatshkurtër për përfshirjen në arsimin fillor të fëmijëve të prekur nga autizmi në vitin shkollor 2010.
"Një strategji, e cila duhet të jetë në përputhje me standardet e ndërkombëtare në mënyrë që të ofrohet një integrim sa më i efektshëm social" thuhet në dokumentin zyrtar.
Një nga kërkesat drejtuar ministrisë është edhe ngritja e një grupi pune për përgatitjen e programeve mësimore për këtë kategori fëmijësh, si dhe krijimin e infrastrukturës së nevojshme për realizimin e këtij programi.
Këto janë kërkesa, të cilat, sipas Çelës, duhet të plotësohen brenda këtyre muajve, pasi është një brez i tërë fëmijësh autikë, të cilët në shtator duhet të ndjekin klasën e parë, por që për mungesë të programeve mësimore nuk do të ndodhë kështu.
"Këta fëmijë janë diagnostikuar autikë, pesë vite me parë. Ministria e Arsimit ka pasur kohë plot pesë vite, për të hartuar programet mësimore për këta fëmijë", shpjegon ajo.
Ligji shqiptar parashikon edukimin fëmijëve autikë në qendra të terapisë deri në moshën shkollore, 6-vjçare, më tej për ata nuk thuhet apo bëhet asgjë. Prindërit (ata që kanë mundësi financiare) i çojnë fëmijët në qendra private të terapisë.
Të tjerët që nuk kanë mundësi qëndrojnë vetë 24 orë pranë fëmijëve të tyre. Ka një ligj në vendin tonë që i klasifikon fëmijët autistë, tek kategoria e personave me aftësi të kufizuara dhe është pikërisht ky klasifikim që i ka lënë këta fëmijë në një zonë të papërcaktuar.
Në shkollat e specializuara për fëmijë me aftësi të kufizuar, nuk ka një personel të kualifikuar vetëm për të trajtuar këta fëmijë.
Edukatorët, vçse të merren me fëmijët e tjerë duhet t'u kushtojnë rëndësinë e duhur edhe fëmijëve autikë. Sipas MASH, ende nuk ka pasur lëvizje në këtë drejtim për shkak të numrit të vogël të fëmijëve autikë.
Duke qenë se në vendin tonë ekziston ky ligj, sipas të cilit, këta fëmijë duhet të shkollohen në institutet e fëmijëve me aftësi të kufizuar, u takon edukatorëve të hartojnë edhe programet që duhet të ndjekin këta fëmijë.
Çela shpjegon se Ministria e Shëndetësisë nuk ka publikuar asnjë statistikë në lidhje me numrin e saktë të fëmijëve autikë në Shqipëri. "Të dhënat jo zyrtare tregojnë se 1 në 100 fëmijë në vendin tonë preken nga autizmi, por mund të jenë më shumë se kaq", shprehet ajo, duke shpjeguar se pak muaj më parë shoqata që ajo drejton i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Shëndetit krijimin e një baze të dhënash mbi gjendjen aktuale të fëmijëve autikë në Shqipëri.
Një kërkesë kjo që nuk ka marrë ende përgjigje nga ministria, duke e lënë të papërcaktuar numrin e fëmijëve autikë. E në këto kushte, as ministra e Arsimit nuk mund të bëjë ndonjë hap të madh në hartimin e programeve të posaçme të arsimit.
Kjo do të ishte ndoshta edhe përgjigja ndaj kërkesës së fundit dhe më të rëndësishme të shoqatës "Prindër kundër autizimit", hartimi i një strategjie afatgjatë për arsimimin dhe integrimin e fëmijëve të prekur nga autizmi në shkollat publike.