E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtari e kunati i deputetit të PD-së, në veturën e të akuzuarit për vrasje

Edmond Goga, gjykon një çështje për grabitje me pasojë vrasjen e dy personave, në ngarkim të pronarit të veturës së markës BMW X5 me të cilën ai po udhëtonte javën e kaluar


Mjeti luksoz u bllokua nga policia, pasi dyshohet se është e trafikuar ndërsa në të policia bllokoi një kundratabelë që mbahej pa autorizim. Mjeti drejtohej nga kunati i Shrefedin Shehut


TIRANË- Kunati i deputetit të Partisë Demokratike Sherefedin Shehu, dhe gjyqtari "kapen" në veturën e të shumë kërkuarit për "vjedhje me armë" me pasojë vrasjen e dy personave, Shaqir Nikolla.


Vetë gjyqtari ishte pjesë e trupit gjykues që shqyrton çështjen e Nikollës, ndërsa në veturë ishte edhe Ruzhdi Daci, kunati i deputetit të PD-së për Dibrën, Shrefedin Shehu, ish- zv/ministër i Financave. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të organeve përkatëse të hetimit të Burrelit, por edhe nga Prokuroria e Dibrës.


Sipas tyre, pasditen e 9 qershorit rreth orës 16:00, policia e Burrelit në hyrje të këtij qyteti gjatë një kontrolli rutinë ka bllokuar një automjet "BMW" X5 me targa FR 1297 D, në pronësi të të shumë kërkuarit Nikolla.


Kjo veturë, drejtohej nga shtetasi Ruzhdi Daci, i cili sipas burimeve, është "shok" i shumë të kërkuarit, njëherazi kunati i Sherefedin Shehut, ish-zv/ministrit të Financave, tashmë deputet i Partisë Demokratike.


Bashkë me shoferin, sipas këtyre burimeve, ndodhej edhe gjyqtari i Gjykatës së Dibrës shtetasi Edmond Goga, i cili është një nga tre anëtarët e trupit gjykues që gjykon të pandehurin në kërkim Shaqir Nikolla. i akuzuar në këtë proces është edhe i pandehuri tjetër Lavdim Luca.


Pas ndalimit të mjetit, është kërkuar nga policia kontrolli i dokumenteve të mjetit, pasi policia dyshonte se ishte i vjedhur dhe i trafikuar.


Madje nga verifikimi është mësuar se pronari i mjetit, posedonte dokumente të duplikuara, ndërsa brenda automjetit luksoz në xhamin e përparmë, është sekuestruar edhe një tabelë që përdoret nga shërbimet e policisë.


Përveç këtyre dyshimeve dhe sendit të paligjshëm të bllokuar, policia ka konstatuar se drejtuesi Daci ishte në gjendje të dehur, pasi kishte konsumuar shumë alkool.


Pas këtij konstatimi, policia vendosi të shoqëronte në komisariat Dacin, pasi ishte i dehur dhe e liroi disa orë më vonë. Ndërkaq, për mjetin e drejtuar nga kunati i deputetit të PD-së, Shehu, me të cilin udhëtonte edhe gjyqtari Goga, u vendos të kryhej bllokimi i tij deri në një urdhër të prokurorisë apo gjykatës, për shkak se dyshohej ajo kishte probleme. Gjatë kohës që kryheshin verifikimet, policia konstatoi se në veturë ndodhej edhe gjyqtari Goga.


Pas bllokimit të automjetit luksoz të një personi të kërkuar për vrasje të cilin vetë e ka në gjykim, gjyqtari u detyrua të vazhdojë rrugën për në destiancionin e tij. i pyetur për këtë fakt nga "Shekulli" vetë gjyqtari e ka pranuar se ndodhej në atë makinë, por nuk kishte dijeni se makina ishte e personit që po e gjykonte në Gjykatën e Dibrës.


"Kam hipur tek agjencia e Dibrës në këtë makinë dhe nuk e dija se kush është drejtuesi apo pronari i makinës. Në Burrel policia ka konstatuar se kjo makinë kishte probleme dhe unë kam zbritur duke vazhduar rrugën time",-tha Goga.


Prokuroria: Do kërkojmë largimin e gjyqtarit


Në lidhje me prezencën e gjyqtarit Goga në makinën e personit që po gjykon, kryeprokurori i Dibrës, Sabri Kastrati, njëkohësisht i komanduar si prokurori i kësaj çështjeje, konfirmoi për "Shekullin" se të mërkurën e kaluar i është drejtuar kryetarit të gjykatës së Dibrës, duke kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Goga nga ky proces.


"Është konstatuar nga Policia e Burrelit, se brenda mjetit të të pandehurit në kërkim Shaqir Nikolla ndodhej edhe njëri nga gjyqtarët që po gjykon çështjen ndaj tij.


Për këtë kemi kërkuar që të mërkurën përjashtimin e gjyqtarit nga çështja",-tha Kastrati. Edhe drejtuesi i prokurorisë së Matit, prokurori Lazër Çadraku, konfirmoi se policia ka konstatuar se gjyqtari Goga ndodhej në këtë mjet, të bllokuar tashmë për shkak se shoferi Daci ishte në gjendje të dehur.


Ai konfirmoi se brenda në mjet ishte sekuestruar një tabelë policie, që mbahej në mënyrë të kundraligjshme. "Dosja penale është referuar nga policia dhe po hetohet, për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe mbajtje të sendeve të ndaluara dhe shenjave të policisë, në kundërshtim me ligjin. Mjeti luksoz është bllokuar dhe po verifikohen numrat e shasisë për të zbardhur dyshimet në lidhje me vërtetësinë e dokumenteve,- tha Çadraku për "Shekullin".

Nikolla, akuza për grabitje me armë dhe vrasje

I pandehuri në kërkim, Shaqir Nikolla, akuzohet nga Prokuroria e Dibrës se në bashkëpunim me shtetasin Lavdim Luca dhe persona ende të paidentifikuar, kanë kryer "vjedhjen me armë" të arkës së komunës Rec të Dibrës, ku për pasojë kanë mbetur të vrarë shoferi i autobusit dhe arkëtari i komunës shtetasit Rasim Elezi dhe Asllan Meçi.


Kjo dosje, për shumë kohë ndodhej e pezulluar, por nga hetimet disa mujore të prokurorisë së Dibrës, u arrit të zbardhet ngjarja e 19 nëntor të vitit 1996 dhe të identifikohen autorët, Nikolla që ndodhet në kërkim ndërkombëtar dhe Luca i arrestuar në Itali për vepra të tjera penale. Sipas prokurorisë, dy autorët i kishin dalë përpara autobusit me të cilin lëvizte arkëtari Meçi me çantën ku ndodheshin paratë e pensioneve për zonën, me qëllim grabitjen.


Mosbindja e shoferit dhe e arkëtarit për të ndaluar ka sjellë reagimin e grabitësve, të cilët kanë hapur zjarr me armë automatike në drejtim të shoferit dhe arkëtarit në autobus. Pasi i kanë lënë të vrarë të dy, kanë marrë 1.2 milionë lekët e reja që kishte arkëtari dhe janë larguar.


Autorët kishin mundur të largohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia nuk mundi t'i kapte apo identifikonte asnjëherë. Ndërkohë, pak muaj më parë, ishin familjarët e Nikollës që akuzuan prokurorin që kishte zbardhur ngjarjen Ramadan Trocin se ka ngritur akuzën ndaj të afërmit të tyre për "hakmarrje", pasi më 6 nëntor 2004 është vrarë në Itali shtetasi Shkëlqim Troci.


Vrasje për të cilën është akuzuar i pandehuri në kërkim Shaqir Nikolla ku nga hetimi gjyqësore u deklarua i pafajshëm për këtë vrasje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›