E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duhet të dëshmojmë se jemi të aftë për të bërë politikë

Situata në Kosovë është e keqe. Por thirrjet për luftë që po dëgjojmë, jo vetëm që janë naive por edhe mund të jenë tejet të rrezikshme për shqiptarët. Përderisa Serbia gjakpirëse e cila në vitet '90 zhvilloi 4 luftëra në ish-Jugosllavi tash i është drejtuar diplomacisë, do të ishte gabim fatal që shqiptarët t'i rrokin armët. Kundër kujt do të luftonim?! Në Kosovë është e pranishme vetëm një ushtri: KFOR-i, i përbërë nga pjesëtarë të NATO-s. Kundër KFOR-it të luftojmë?! Kundër çlirimtarëve tanë?! Kundër forcës më të madhe planetare?! Kundër atyre 22 shteteve anëtare të NATOS-s që na e kanë pranuar pavarësinë?! Doni të gjithë të na shpallin terroristë e të na e kthejnë shpinën tash që mezi kemi arritur deri te pavarësia?!

Thirrje të tilla ndoshta tingëllojnë si patriotike, por në esencë janë thirrje për shkatërrimin e shtetit të Kosovës, shkatërrimin e gjithçkaje shqiptare në të. Në vend të kësaj, duhet t'u bëhet thirrje qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë të jenë sa më aktivë në diplomaci, të jenë sa më prezentë kudo nëpër botë për t'iu përkujtuar 15.000 dëshmorë e martirë, 25.000 gra të dhunuara, 1 milion refugjatë, mijëra shtëpi të djegura, qindra fabrika të plaçkitura, dhunën, masakrat, torturat...

Të sqarohet se pavarësia e Kosovës sjell vetëm paqe në rajon dhe se përkrahja e Serbisë është veprim që i minon që gjitha përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare në stabilizimin e situatës në këtë pjesë të Ballkanit.

Ne duhet të dëshmojmë se jemi të aftë për të bërë politikë, për ta udhëhequr shtetin, për të krijuar miq në të gjitha vendet e botës. Tjetër kuptim ka pasur kryengritja në vitin 1998/99 sepse është luftuar agresori, e krejt tjetër sot, ku me këtë akt do t'ia hapnim varrin vetes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›