E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka-De Biazi: Humbja? Faji ynë

E përbashkëta e të dy drejtuesve, si presidentit të FSHF-së, Armand Duka dhe trajnerit të Kombëtares, Xhani de Biazi, është se skuadra bëri një ndeshje të mirë ndaj Gjeorgjisë, por duhej të kishte qenë më e kujdesshme në pjesën e dytë. “Mund të them se ishte një ndeshje e mirë. Nuk më pëlqen të akuzoj ose të merrem me arbitrin, pasi në të dyja penalltitë mbrojtja jonë nuk reagoi si duhet kur topi u grushtua nga Ujkani. Ne nuk duhet t’i linim lojtarët e Gjeorgjisë që të gjuanin katër herë radhazi në drejtim të portës sonë derisa të realizonin. Mendoj se aty qe gabim i mbrojtjes. Gjithsesi ishte një ndeshje me nivel, pavarësisht rezultatit”, ka pohuar fillimisht Duka. Ndërsa De Biazi shprehu vlerësim më së shumti për debutuesit. “Për nga mënyra sesi luajtëm në pjesën e parë mund të them se skuadra zbatoi me përpikëri detyrat, por në fraksionin e dytë të lojës duhej të kishim qenë disi më të kujdesshëm. Megjithatë, jam i kënaqur nga loja e skuadrës, sidomos nga debutuesit, të cilët m’u përgjigjën në nivelin që u kërkova”, ka pohuar tekniku italian. Ndërkohë, Kombëtarja jonë do të luajë edhe një ndeshje miqësore luksi në fund të muajit maj me Spanjën. “Them se e kemi arritur akordin dhe mungojnë vetëm disa detaje të vogla. Ndeshja do luhet në Zvicër”, ka konfirmuar Duka.
“Nuk kam aspak frikë se do luajmë ndaj Spanjës. Kjo Shqipëri veçse mund të mësojë nga një skuadër si kampionët e botës, ndaj jam i kënaqur që do t’i kem përballë”, ka thënë De Biazi.

Shikueshmëria/Francë-Shqipëri parakalon Gjermani-Francë
Duket disi e çuditshme, por ndeshja Francë-Shqipëri e tetorit ka pasur më shumë spektatorë sesa miqësorja mes Gjermanisë dhe Francës. Lajmi jepet nga mediat franceze të cilat marrin për analogji pikërisht ndeshjen e Kombëtares shqiptare në Paris për të treguar sesa poshtë ka rënë interesi i francezëve dhe gjermanëve njëkohësisht për të ndjekur një miqësore. Gjermani-Francë është ndjekur nga 6.489.000 telespektatorë, ndërsa ndeshja mes Francës dhe Shqipërisë (3-0) i ka kaluar 7 milionë telespektatorë.

Disiplina/ Një top bore ndaj Levit lë Vllazninë pa tifozë
Ajo që ndodhi pas ndeshjes me Skënderbeun, ku u godit trajneri Stanislav Levi, i ka kushtuar klubit shkodran dënimin me një ndeshje pa praninë e spektatorëve. Vendimi është marrë dje nga Komisioni i Disiplinës në FSHF. “Vllaznia, për futje të personave në fushën e lojës pa shkaktuar akte të dhunës, në bazë të nenit 66.3/a të KDS, dënohet me zhvillimin e 1 (një) ndeshjeje pa spektatorë”, njoftonte dje Disiplina. Incidenti me trajnerin e korçarëve, që bëri bujë në media, pasi ai u godit me një top bore duke dhënë një intervistë për “Supersport”, e detyron klubin shkodran të mbyllë dyert e “Loro Boriçit” për tifozët. Në këto kushte, ndeshja e radhës për kampionat kundër Kamzës, që luhet të dielën, do të jetë pa praninë e spektatorëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›