Duka: I ka ikur koha
Historiani Ferid Duka, thotë se mozaiku stonon në ballë të Muzeut Kombëtar, por është një çështje që duhet zgjidhur nga artistët. Anëtari i këshillit shkencor nuk ka dijeni për idetë për këtë ndryshim të drejtorit të MHK
Për historianin Ferid Duka, mozaiku i ballinës së Muzeut Historik Kombëtar stonon me kohën sepse "është simbol i një ideologjie të caktuar të cilës i kemi dhënë fund." Megjithatë prof. Duka pranon se nuk është ai që duhet të japë një mendim të prerë për fatin e mozaikut. Nuk është në gjendje të thotë në duhet të hiqet, apo të modifikohet. Sipas tij, ata që duhet t'i japin një zgjidhje janë pikërisht artistët dhe specialistët e fushës. Megjithatë e quajmë me rëndësi opinionin e tij përderisa është një "votë" në këshillin shkencor dhe mund të mbajë një qëndrim ndaj ideve të drejtuesit të MHK.
Z. Duka, si një nga anëtarët e këshillit shkencor të MHK-së, a është diskutuar mes jush çështja e heqjes së mozikut?
Nuk është diskutuar së fundmi, por besoj në ndonjë mbledhje më të hershme. Sido qoftë nuk e shoh pa vend të shprehet opinioni rreth kësaj çështjeje.
Dhe cili është opinioni juaj?
Mendoj se mozaiku në anën ballore të Muzeut, në anën më të shikueshme nga publiku, nga rruga kryesore, është një simbolikë që i ka kaluar koha, është një simbolikë që lidhet me sistemin komunist, me ideologjinë e këtij sistemi. Një simbol që lidhet me metodën e realizmit socialist, që ishte sunduese edhe në art e kulturë dhe si e tillë ka elementë, që për mendimin tim stonojnë në një muze kombëtar, në një instucion kombëtar të kulturës, që është i vizitueshëm nga një publik i tërë, brenda dhe jashtë hapësirës shqiptare. Si historian, si njeri që profesioni më lidh me muzeologjinë dhe si anëtar i këshillit të këtij institucioni, mendoj se atij mozaiku i duhet gjetur një zgjidhje.
Pra ju jeni për heqjen?
Nuk mund të qëndrojë ashtu siç është. Mendoj se nuk mund të shprehem ekzaktësisht, pasi për të duhet bërë një konsultë me artistë të cilët mund të flasin më me kompetencë. Nuk jam në gjendje të them nëse duhet hequr fare, apo duhen bërë modifikime profesionale artistike, këtë duhet ta bëjnë artistë të kualifikuar. Nëse është mirë, ta bëjnë artistët, pronë intelektuale dhe artistike e të cilëve ai është, në bashkëpunim me specialistë, me këshillin dhe drejtorinë e institucionit. Sot mbështes mendimin e drejtorit. Kjo çështje kërkon një zgjidhje patjetër, nëse duam një muze kombëtar të reflektojë një dëshirë të mbarë publikut, një kërkesë të kohës sonë, që ka pretendimin e vet. Kombi duhet të ketë një muze të paideologjizuar në çdo aspekt të tij, qoftë dhe në paraqitjen e jashtme, që për mua është e padëshirueshme.
Nuk mendoni se ai mozaik është pjesë e pandarë e arkitekturës, e cila ka gjithashtu vulën e sistemit të kaluar?
E pranoj logjikën tuaj, që i gjithë ndërtimi është i asaj kohe, por për mua stonimi i godinës me kohën nuk bie në sy. Ky element që është simbolikë e një kohe të caktuar, është stonatura më e madhe (nëse do ta quaj kështu) e pamjes së jashtme të muzeut. Por nuk jam unë që mund të jap zgjidhje. Këtu duhet një konsulencë e fortë artistike që mund të japë një zgjidhje adekuate, por hyj tek ata njerëz që gjykojnë se ky simbol sot nuk qëndron dhe për fat të keq shpreh një ideologji, një metodologji që ne i dhamë fund.
Por si simbol ai tashmë është bërë pjesë e qytetit dhe qytetarët e identifikojnë muzeun edhe me mozaikun…
Nuk besoj se njerëzit bëjnë këtë identifikim. Si historian mund t'ju them që themelore është përmbajtja. Ajo çka ofrohet sot nga muzeu, metoda për reformimin e muzeut, metodat për ristrukturimin dhe pasurimin e përmbajtjes. E gjithë kjo punë që po bëhet për ndryshime pozitive, do të binte ndesh me atë që neve kemi për fat të keq si "status quo" në fasadën e muzeut.
Specialistët thonë se po u hoq ai mozaik vetëm mund të shkatërrohet, ia vlen të ndërmerret ky rrezik?
Është një çështje që i takon artistëve tanë. Mendoj se ata e gjejnë një zgjidhje adekuate. Mendoj se do të gjendet një zgjidhje racionale.