E Shtunë, 31 Tetor 2026

100 poezi nga Maks Velo

Takim me piktorin dhe arkitektin sot pasdite tek Piramida
Pak poezi dhe një takim me autorin e tyre Maks Velo për të mbushur zbrazëtinë e fundjavës kulturore në Tiranë. "100 poezi" i Velos prezantohet sot në orën 17.00 në kinemanë e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Aktorja dhe regjisorja e re, Ana Abazaj, interpreton vargje të zgjedhura përkrah autorit dhe asnjë fjalim tjetër i mërzitshëm për të ftuarit.
"100 poezi", Botimet Toena, përfshin poezi të pabotuara dhe të botuara në shtypin e përditshëm. Ky është vëllimi i dytë poetik që Velo ka shkruar në vitet 1995-2005. "Poezia i afrohet vizatimit në pikturë. Dhe vizatimi i afrohet konstruksionit në arkitekturë. Teksti poetik i muzikuar është këngë. Poezia më duket sikur i lidh të gjitha: letërsinë, muzikën, arkitekturën. Poezinë e krahasoj me kohën, me një fragment kohe. Me kohën kur kaloj në një urë. Vërtet janë dy brigje, shpesh të ndryshme, por në ato momente ti je dhe në ajër, dhe në tokë, dhe mbi ujë. Dhe poezia është ujë, ajër, tokë. Ajo rrjedh, thithet dhe është prapë tokë",- shkruan Velo në parathënien e shkurtër të librit. Poezitë dhe poemat janë ndarë në cikle metafizike, të natyrës dhe të vendeve, të absurdit dhe të Parisit. Për këtë qytet ku autori u lind në vitin 1935 ka përfshirë 21 poezi se është "qyteti që i detyrohem aq shumë. Besoj nga ai qytet e ka zanafillën kërkesa e vazhdueshme dhe e papërballueshme për t'u shprehur artistikisht",- shjegon autori.
Si arkitekt, piktor, shkrimtar dhe publicist Maks Velo është autor i veprave "Thesi i burgut", "Kokëqethja", "Kohë antishenjë", "Ese për diktaturën","Pashallarët e kuq – hetim për një krim letrar", "Klubi Karavasta", "Historia e një cope guri", "Paralel me arkitekturën", albume me vizatime dhe portrete etj.
Më 1978 ai u dënua me dhjetë vjet heqje lirie nga regjimi i kohës si piktor modernist, dënim që pati pasojë djegien e disa dhjetëra vizatimeve, pikturave dhe iu sekuestrua një pjesë e koleksionit të rrallë të artit popullor, frymëzimi i përhershëm i Velos. Vuajti tetë vjet dënim në kampin e Spaçit. Në vitet e para të pluralizmit politik në Shqipëri ai ka qenë aktiv me Komitetin e Helsinkit dhe rrëfeu kujtimet nga burgu nëmediume të ndryshme të artit të fjalës, artit vizual dhe polemikës.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›