E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet në Vlorë tragjedia e 9 janarit

Familjarët: Shteti të mbajë përgjegjësinë që i takon dhe të gjejë fajtorët e saj
Vlorë- Familjarë të tragjedisë së 9 Janarit, mbërritën dje në Vlorë, në nderim të familjarëve të tyre, të mbytur katër vjet më parë. Të ardhur nga Shkodra e Lezha, me mjete të ushtrisë, familjarët kanë hedhur lule në vendin ku u nxorën të afërmit e tyre. «Apel shtetit për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe të dalë e vërteta për tragjedinë e rëndë »-ka qenë ky mesazhi i përcjellë nga familjarët. "Ata vdiqën në duart e shtetit dhe në sytë e shtetit- thotë i ati i një prej të mbyturve. Shteti nuk ka mbajtur deri tani asnjë lloj përgjegjësie. S'ka pasur asnjë dorëheqje, s'ka pasur asnjë lloj reagimi»- thotë ai, duke bërë lutje të dalë e vërteta. Ata i janë lutur shtetit të gjejë fajtorët e vërtetë dhe të zbardhë të gjithë tragjedinë. Të mbledhur bashkë, ata kanë kujtuar peripecitë e hequra nëpër gjyqe e kudo tjetër, por pa mundur të hedhin dritë mbi të vërtetën. Pas të cilën, si thonë vetë familjarët, shpirtrat e njerëzve të tyre të humbur ujërave të detit nuk mund të gjejnë prehje. Tragjedia ka shënuar 28 viktima, të cilët humbën jetën në brigjet e Karaburunit në tentativë për të kaluar kufirin, trupat e 8 prej të cilëve nuk janë gjetur.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›