E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka: “Për futbollin vendosin vetëm njerzit e futbollit”

Albania-Sport.com - Gjatë fëmijërisë së tij kishte ëndërruar të bëhej një sulmues race, por tashmë e shohim si një mbrojtës të pakalueshëm futbolli. Armando Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, është i ftuari special i "Albania-sport.com", për të përcjellë e qartësuar disa nga arritjet, problematikën e futbollit shqiptar, por dhe synimet e tij gjatë vitit 2007. Karizmatik në komunikim, me tendencë perëndimore në bashkëbisedim, presidenti i ligjshëm i FSHF-së, vlerësohet maksimalisht nga homologët e tij brenda 52 federatave anëtare të organizmit më të madh futbollistik europian, UEFA, për gjithcka ka bërë për të ndryshuar imazhin e "topit" shqiptar. Projekte të mëdha të realizuara, ambicie të mëdha për të ngjitur Shqipërinë në renditjen europiane dhe botërore, strategji efikase në ngritjen e infrastrukturës moderne, promovim të individualiteteve më të spikatura të futbollit shqiptar. Në zyrën e tij, pervec objekteve të punës së përditshme, tashmë ka dhe një minimuze fotosh, ku presidentin Duka mund ta shohësh të qeshur me ata që drejtojnë "globin" e futbollit: presidentin e FIFA-s, Josef Blater, një shtrëngim duarsh me presidentin e UEFA-s, Lenart Johanson, një kryqëzim shikimi me trajnerin Hans Peter Briegel, një dhuratë për teknikun Oto Baric.
* * *
Albania-Sport.com: Zoti president, si një i mik i ri i albania-sport.com, por në cilësinë e protagonistit kryesor i futbollit shqiptar të pesë viteve të fundit, e vlerësojmë si një detyrim thelbësor zhvillimin e bisedës me ju...
Armando Duka: Ju uroj për faqen tuaj duke qenë se prononcohem për herë të parë për ju. Gjithashtu, ju falënderoj për kontributin tuaj në zhvillimin e futbollit në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, meqënëse jemi edhe në fillim të vitit ju Uroj ju, dhe tërë lexusëve të faqes suaj një vit të mbarë e të suksesshëm.
Albania-Sport.com: Viti 2006 vlerësohet nga të gjithë si një vit i vecantë, kjo jo vetëm për shkak të progresit të dukshëm ndërkombëtar të Shqipërisë, por dhe atë në planin kombëtar, ku ka patur shumë zhvillime pozitive të cilat i kanë dhënë një dimension të ri futbollit të një vendi të vogël si Shqipëria. Cili do të ishte bilanci i institucionit që ju drejtoni prej katër vjetësh?
Armando Duka: Në vitet e fundit Shqipëria me të gjitha skuadrat që përfaqësohen në arenën ndërkombëtare ka arritur rezultate pozitive. Megjithatë ne nuk e kemi ndalur punën për zhvillimin e metejshëm të futbollit në Shqipëri. Për sa i përket futbollit në Shqipëri, pra aktivitetit kombëtar mund të them se me përmirësimin e dukshëm të infrastrukturës në fushat e stadiumeve është rritur ndjeshëm niveli i lojës. Cilësia e lojës në fushë është përmirësuar, edhe pse mundësitë për përmirësim janë më të mëdha. Gara ndërmjet ekipeve sezonin e kaluar ka qënë e fortë duke pasur parasysh rivalitetin e ndjeshëm për titullin kampion. Unë mendoj se viti 2006 ka një bilanc pozitiv duke mos lënë mënjanë edhe disa probleme lidhur me incidente të ndodhura në stadiume të shkaktuara nga disa drejtues klubesh. FSHF ka ndërmarrë një iniciativë të sajën për një paketë ligjore për të eleminuar problemet në stadiume, por për të arritur rezultatin e duhur duhet edhe bashkëpunimi me forcat e rendit që sigurojnë zhvillimin normal të aktivitetit.
Albania-Sport.com: Një nga debatet më të mëdha, të cilat shpesh herë kanë kaluar jo vetëm kufijtë e etikës qytetare dhe atë të marrëdhënieve formale institucionale, është konflikti absurd dhe i panevojshëm midis Ministrisë Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe Federatës Shqiptare e Futbollit. Në opinionin qytetar por dhe atë më të specializuar ky konflikt është konsideruar si i tejkaluar dhe i dëmshëm për të ardhmen e futbollit shqiptar. Sa mund të ndikojë negativisht prepotenca e MTKR-së në të ardhmen e futbollit shqiptar dhe projekteve ndërkombëtare?
Armando Duka: Ashtu sic e përmendët edhe ju ky konflikt është absurd dhe ndikon negativisht në zhvillimin e futbollit në Shqipëri. Institucioni që unë drejtoj edhe pse nga ana e MTKRS-se është shpallur i paligjshëm, gjithmonë në mënyrë institucionale ka kërkuar bashkëpunimin me Ministrinë përkatëse. Që të marrësh rezultate maksimale është e domosdoshme një klimë e mirë një kontribut i të gjithëve në të mirë të futbollit. Një nga ata që influencon jo pak për arritjen e rezultateve është dhe MTKRS-ja. Do të ishte gjysma e së keqes vetëm mos kontributi pozitiv i MTKRS pasi gjatë këtij viti në shumë raste kemi patur të kundërtën. Megjithatë jam i prirur ti shoh anën pozitive cdo ngjarjeje Besoj, se kjo situate i ka bindur të gjithë se për futbollin vendosin vetëm njerezit e futbollit.
Albania-Sport.com: Kombëtarja shqiptare është shndërruar në një nga krenaritë e shqiptarëve kudo që jetojnë. Edhe pse refuzimi i trajnerit gjerman Briegel, duket se krijoi një vakuum të përkohshëm, ju arritët të përzgjidhnit në krye një emër të madh si kroati Oto Baric. Sa e ka përmbushur misionin e tij Baric, kur përpara tij është një sfidat më të mëdha për një trajner: ripërtërimi i Kombëtares?
Armando Duka: Ecuria pozitive e ekipit Kombëtar është gjëja më e rendësishme e një Federate. Dhe pikërisht për këtë arsye dhe sepse është një nga dashurite e mia personale, unë jam shumë i përkushtuar ndaj ekipit Kombëtar. Ripërtëritja e ekipit është një kërkesë e vazhdueshme dhe nuk bëhet me fushata. Në ekipin kombëtar nuk duhet të shihet mosha por rezultati që jep futbollisti në fushë. Strategjia e trajnerit Baric është jo vetëm arritja e rezultateve pozitive në ndeshjet eleminatore për EURO 2008, por dhe përgatitja e skuadrës për kompeticionet e ardhshme. Dua të përmend edhe faktin që në ndeshjet e para ekipi ka vujatur nga mungesa e fatit dhe nga gabimet e arbitrave, sidomos në ndeshjen kundër Hollandës. Megjithatë shikohet një rritje sa i përket mentalitetit fitues që Baric po mundohet të fusë në grupin e lojtarëve. Shpresojmë dhe urojmë që në vitin 2007 përfaqsuesja jonë të arrijë rezultate të kenaqshme dhe të grumbullojë sa më shumë pikë.
Albania-Sport.com: Viti 2007 fillon me një ngjarje të madhe të formatit europian që mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ridemensionimin e projekteve në dobi të futbollit në Shqipëri. Cili do të jetë orientimi i FSHF-së në zgjedhjet presidenciale të UEFA-s, kur ju ndodheni në një moment të vështirë reflektimi vote, midis mikut tuaj të deklaruar Mishel Platini dhe mbrojtësit tuaj të madh, Lenart Johanson?
Armando Duka: Të jesh kandidat për president i UEFA-s është goxha shumë. Të dy kandidatet janë figura të mëdha me kontribute të padiskutueshme në futboll e më përvojë manaxhuese. I vlerësoj vërtet maksimalisht të dy kandidatët. Kushdo që të jetë do të jetë në nder të institucionit më të lartë europian të futbollit. UEFA është e ndërtuar në themele të forta, mbi parime të forta e me demokraci të padiskutueshme. E ardhmja e jone është e sigurtë. Ne kujdesemi per futbollin.
Albania-Sport.com: Futbolli shqiptar megjithëse progresin e dukshëm në infrastrukturë, masat ndëshkimore të ashpra të komisioneve të Disiplinës dhe Apelit, ende vuan nga dhuna sporadike. Cili është projekti i Federatës Shqiptare e Futbollit për minizimimin apo dhe parandalimin total të këtyre shfaqjeve që dëmtojnë lojën më të bukur në botë?
Armando Duka: Për këtë pyetje ju sqarova dhe më lart jemi duke përgatitur një paketë ligjore për dhunën në stadiume por duhet përkrahja e gjithë ambientit. Kjo paketë do të miratohet dhe duhet të jetë pjesë në Ligjin për Sportin. Komisionet Juridike në FSHF në këtë sezon janë treguar korrekt në zbatimin e rregulloreve të aktivitetit duke ndëshkuar veprimet e dhunshme në stadiume. Fatkeqësisht këtë vit kemi më shumë masa disiplinore së te katër vitet e fundit së bashku megjithatë incidente përsëri kemi. Minimizimi i incidenteve është frut i tërë shoqërisë dhe kërkon emancipim të saj. Asnjëherë mos mendoni se FSHF e vetme ka përgjegjësi apo mund të eliminojë dhunën apo incidentet.
Albania-Sport.com: Tej mesazhit protokollar të fillimvitit, cila do të jetë sfida personale e presidentit Duka gjatë vitit 2007, në raport me arritjet e FSHF-së të vitit 2006?
Armando Duka: Ne punojmë mbi një strategji të parashikuar e të miratuar. E cila ka problematikë shumë të gjërë por projektet kryesore të 2007 do të jenë:
• Asistimi për organizim më të mirë të klubeve të futbollit dhe privatizimin e tyre.
• Ndërtimi i 10 fushave me bar artificial për stërvitje të fëmijëve dhe të rriturve.
• Do të kisha shumë dëshirë të paktën të fillonim punë për ndërtimin e një stadiumi të ri për kombëtaren. Shpresoj të gjej mirëkuptimin e MTKRS-së, pasi gjithcka tjetër e kam gati.
Edhe një herë ju përshendes ju dhe tërë lexuesit tuaj e në të njëjtën kohë ju ftoj të gjithëve të mbështesni e inkurajoni më shumë Kombëtaren tonë.
Albania-Sport.com: Falëminderit për intervistën dhe suksese në punën tuaj në dobi të futbollit shqiptar.
Intervistoi: Dash Frashëri
Bashkëeditor i Albania-sport.com

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›