Mishel Platini fton Dukën në Francë

Ky muaj pritet të jetë shumë i "nxehtë" përsa i përket futbollit europian pasi në fund të janarit dhe më saktë në datën 27 do të zhvillohen zgjedhjet e radhës për kreun e UEFA-s. Në këtë garë kandidojnë presidenti aktual i organizmit të futbollit europian, Lenart Johanson dhe legjenda e futbollit francez, Mishel Platini. Fushata elektorale ka nisur tashmë dhe platformat e para janë hedhur ndërkohë që nuk kanë munguar akuzat e ndërsjellta ndërmjet kandidatëve. Edhe Shqipëria si vend anëtar i UEFA-s është përfshirë nga kjo fushatë e nxehtë elektorale. Vetëm një muaj më parë vendin tonë e vizitoi kampioni i Europës Mishel Platini, i cili inaguroi disa fusha minifutbolli në një prej shkollave të kryeqytetit dhe deklaroi hapur se vizita e tij mund të konsiderohej në kuadër të fushatës zgjedhore duke shkuar më tej teksa me shaka përpara mediave i tha presidentit të FSHF-së Armando Duka se në fletën e votimit duhet të shënonte emrin Mishel Platini. Tashmë, legjenda e futbollit francez ka shfrytëzuar inagurimin e ambjenteve të reja të Federatës Franceze të Futbollit për ti bërë ftesë kreut të "qeverisë" së futbollit shqiptar Duka që ky të marrë pjesë në këtë inagurim që do të bëhet më datë 11 janar, vetëm 16 ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve për presidentin e ri të UEFA-s. Ashtu sic e pranoi vetë një muaj më parë se vizita e tij në Shqipëri ishte në kuadër të fushatës elektorale edhe ftesa për Dukën dhe presidentët e tjerë të vendeve anëtare të UEFA-s mund të shihet si një mundësi e mirë për fushatë elektorale. Një ftesë të tillë në adresë të kreut të FSHF-së e bën të ditur zëdhënësi për shtyp i institucionit të futbollit, Lysien Nurishmi. "Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Dukës i ka mbërritur një ftesë nga legjenda e futbollit francez, Mishel Platini për të marrë pjesë në inagurimin e amjenteve të Federatës Frenceze të Futbollit. Ky inagurim do të bëhet në 11 janar dhe në të do të shkojë edhe kreu i institucionit tonë. Gjithashtu ftesa ka shkuar edhe për presidentët e federatave të ndryshme të futbollit" deklaroi Nurishmi. Ndërkohë që kandidati tjetër dhe presidenti aktual i institucionit të futbollit europian, Lenart Johanson ka qenë më "i ftohtë" me FSHF-në pasi nuk ka zhvilluar asnjë takim në Shqipëri panvarësisht se u deklarua se ai do të vizitonte në fillim të janarit vendin tonë. Besar Bozgo