Duka merr pjesë në përurimin e zyrës së re të UEFA-s në Stamboll

TIRANË, 24 prill /ATSH/ UEFA përuroi sot zyrën e saj të re përfaqësuese në Stamboll, duke shënuar një zgjerim të rëndësishëm të pranisë së saj botërore.
Kjo është zyra e tretë ndërkombëtare e UEFA-s, pas atyre në Londër dhe Bruksel, dhe do të ketë një rol strategjik në përgatitjet për Kampionatin Europian Turqi-Itali 2032.
Ceremonia u zhvillua në një atmosferë festive në qytetin turk dhe morën pjesë personalitete të rëndësishme të futbollit dhe politikës.
Në mesin e të pranishmëve ishte edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, së bashku me liderë të tjerë si presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe drejtues të federatave të ndryshme europiane.
Gjatë fjalës së tij, presidenti Ceferin vlerësoi rëndësinë e kësaj zyre të re, duke theksuar rolin kyç që ajo do të ketë në organizimin e finaleve të Kampionatit Europian 2032.
“Ne duam të ndajmë përvojën tonë, prandaj vendosëm të hapim një zyrë këtu në bashkëpunim me Federatën Turke të Futbollit. Qëllimi ynë është i qartë: Ta bëjmë Kampionatin Europian 2032 në Turqi – Itali më të mirin ndonjëherë”, u shpreh kreu i qeverisë së futbollit europian, duke theksuar gjithashtu kapacitetet organizative të Turqisë në eventet madhore të futbollit.
1 nga 3/r.e/a.f/