Duka në prokurori për ndriçimin e stadiumeve
TIRANE-Prej kohësh, Presidenti i SK "Tiranës" Refik Halili ka denoncuar tenderin e përgatitur nga Federata Shqiptare e Futbollit për ndriçimin e stadiumeve duke bërë direkt përgjegjës për këtë skandal presidentin e FSHF-së Armando Duka. Por tani, ky skandal duket se është bërë fakt i kryer nëpërmjet një denoncimi që një nga firmat pjesëmarrëse në tenderin e zhvilluar në gushtin e vitit 2009, ka bërë në prokurorinë e Tiranës. Bëhet fjalë për denoncimin e firmës "Antika" shpk, me qendër në Prishtinë, e cila pretendon pranë prokurorisë se hapja e ofertave të firmave në FSHF është bërë në datën 10 tetor. "Firma jonë, është përfaqësuese e firmës së njohur "Philips Lighting" me qendër në Holandë, firmë kjo me një reputacion të padiskutueshëm në realizimin e ndriçimit të stadiumeve... Ne e vlerësuam këtë tender, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe për faktin se kërkonim të realizonim një punë maksimalisht cilësore në Shqipëri",- thuhet në kallëzimin e përfaqësuesve të Philips në Shqipëri, nëpërmjet "Antika". Tenderi Procedurat e tenderit të ndriçimit janë zhvilluar në fillim të tetorit në FSHF. Gjatë komunikimeve publike, Presidenti i Tiranës Refik Halili ka pretenduar se FSHF ka bërë abuzime me këtë tender, ku paratë për ndriçimin e stadiumeve, jepen nga UEFA. Kështu, FSHF u ka kërkuar bashkive që të vënë në dispozicion të ndriçimit të stadiumeve të tyre shuma të konsiderueshme parash nga buxheti i tyre, dhe kjo gjë nuk është realizuar. Ndërkohë që tenderi në Tiranë, sipas të dhënave të presidentit të Tiranës rezulton tërësisht i manipuluar e plot mashtrime. Në fakt, prokuroria do të zbardhë ngjarjen, por kallëzimi në adresë të Federatës Shqiptare të Futbollit nga firma "Antika", hedh dyshime për zhvillimin e këtij tenderi. "Me sa mbajmë mend, në këtë tender janë paraqitur pesë apo gjashtë kompani. Nga hapja e zarfeve, rezulton se ofertat e dhëna nga ne pjesmarrësit në tender kishin diferenca pasi disa kishin planifikuar TVSH (taksën) dhe disa të tjera jo. Kjo kishte ardhur pasi vetë Federata Shqiptare e Futbollit, në propozimin e saj, nuk e kishte vendosur këtë element, duke e lënë atë në harresë",- thuhet në kallëzimin e “Antikës” për Federatën në prokurorinë shqiptare. Subjektet Në tender kanë marrë pjesë pesë kompani të mëdha të cilat sipas pretendimit të Antikës, por edhe dokumenteve kanë dhënë çmime të ndryshme. Kompanitë prezent në tender kanë qenë filiale shqiptare të kompanive të mëdha. "Antika", përfaqësuese e Philips, ka dhënë ofertën e saj prej 2.6 milionë euro për njërin zë, dhe 2.4 milionë euro për një tjetër zë të ndriçimit, duke përfshirë këtu dhe taksat; kompania ITE group, përfaqësuese e General Electric në Turqi, ofroi 2.7 milionë euro për zërin e parë dhe 2.6 milionë euro për të dytin, duke përfshirë edhe taksat; kompania e tretë ishte Musco Lighting me qendër në Qipro, që ofroi 1.95 milionë euro për zërin e parë dhe 1.74 milionë euro për të dytin, por pa përfshirë këtu taksat, transportin dhe instalimin, çka në fakt lëvizi ofertën; kompania e katërt ishte SITECO në Gjermani që dha ofertën më të lartë prej 3.1 milionë euro për zërin e parë dhe 2.92 milionë euro për të dytin, duke përfshirë taksat, dhe me një tjetër ofertë që nuk i përfshinte ato. Ndërkohë që kompania e fundit Nivatec Europolis, ofroi 2.58 milionë euro për zërin e parë dhe 2.32 milionë euro përafërsisht për të dytin pa përfshirë taksat. Këto ishin ofertat e vetme nga hapja e zarfeve çka ka çuar në një hamulli totale në tender, pasi firmat, e kishin lënë në dëshirën e tyre marrjen e parasysh të taksave, transportit dhe instalimin, dhe jo si kërkesë të FSHF. Procedura E pikërisht, pas hapjes së këtyre ofertave, "Antika" shpk, pretendoi se gjithçka u zhvillua në mënyrë të paligjshme dhe në shkelje të hapur dhe flagrante të ligjit shqiptar për tenderimet. Aq më tepër, që në përfundim të tenderit nuk është marrë parasysh oferta më e ulët. Kjo ka çuar përfaqësuesit e Philips në Prishtinë, që të kallzojnë zyrtarët e Federatës në prokurorinë e Tiranës, duke kërkuar transparencën e procedurave të zhvillimit të tenderit. Ndërkohë që sipas Federatës fitues i tenderit ka dalë General Electric, e cila në fakt ka paraqitur një ofertë më të lartë sesa "Antika" shpk. Pikërisht zyrtarët e Antikës pretendojnë përveç ofertës më të lartë, edhe mungesën e dokumentacionit që firma ITE grup, që pretendon se përfaqëson General Electric, nuk ka paraqitur asnjë dokument që është përfaqësuese e kësaj firme. Pritet shumë shpejt pas këtij kallëzimi prokuroria e Tiranës të nisë hetimin, ndërkohë që do të dëgjohen të gjitha palët e interesuara. Presidenti i Federatës Armando Duka, gjendet përpara fillimit të fushatës për zgjedhjet e reja brenda Federatës dhe nëse do të vërtetohet shkelja në procedurat e këtij tenderi, kjo do të dobësonte shumë pozitat e tij për Presidencën. (d.b/BalkanWeb)