E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryevepra e Pirandelos, në mars në Teatrin Kombëtar

TIRANE-Dramaturgjia botërore vjen në Tiranë me një nga kryeveprat e saj, e pikërisht me një vepër të Pirandelos". Kështu u shpreh dje në një konferencë për shtyp Kristaq Skrami, drejtor i Teatrit Kombëtar. Sipas tij, kjo vepër është një kombinim i saktë i trupës së aktorëve, kërkesës së teatrit dhe aktivizimit të aktorëve të këtij institucioni. Më tej Skrami u shpreh se veprat e mëdha, duke qenë se përcjellin ide dhe mesazhe të tilla, e tërheqin publikun. "Nuk e kemi anashkaluar dramën shqipe, sepse së shpejti do bëhet konkursi i dramës shqipe", - përfundoi Skrami. "Gjashtë personazhe kërkojnë autor" është një vepër që pasqyron fuqishëm natyrën tragjikomike të ekzistencës sonë dhe dhimbjen e të ekzistuarit. Por, ajo është edhe një dramë e fuqishme sociale që vë gishtin në plagë të tilla si degradimi i familjes, varfëria, prostitucioni, incesti etj. Ndërsa regjisori i pjesës, Mehmet Xhelili, sa i takon zgjedhjes së kësaj vepre për ta vënë në skenë, u shpreh se arsyeja lidhet me mundësitë që të jep ajo, forcën që ka dhe interesimin e publikut. "Një vepër zgjidhet duke pasur parasysh se sa e prek publikun, aftësinë e saj për të krijuar spektakël. Mund të them se vepra e Pirandelos, tani për tani është vepra e duhur që ka elementët e sipërpërmendur dhe që paraqet disa shqetësime sociale mjaft prezente", - theksoi ai në konferencën e djeshme për shtyp. Xhelili tha se kjo vepër do të rrisë Teatrin Kombëtar, duke qenë se ka një ndikim të fuqishëm, ndikim ky i provuar në teatrot e huaj ku është vënë më parë. Qasja regjisoriale do të mbështetet pikërisht në elementët e mësipërm, e pritet që të tërheqin publikun. Pjesa e Pirandelos ka si skenograf Genc Shkodranin, kostumografe Anila Zajmin, dhe në rolet kryesore interpretojnë Fatos Sela, Eftjola Laçka, Marjeta Ljarja, Dritan Boriçi, Olta Dako, Fadil Kujovska, Olta Gixhari etj. Vepra "Gjashtë personazhe kërkojnë autor" (1921), është një nga veprat më të rëndësishme të dramaturgjisë botërore të shekullit të njëzetë. Në të është përmbledhur gjithë gjenia krijuese dhe pasioni i madh për teatrin i një prej fituesve të çmimit "Nobel", shkrimtarit dhe dramaturgut italian, Luixhi Pirandelo. Subjekti i saj mbështetet në një gjetje të mrekullueshme, sa të çuditshme e spektakolare, aq edhe tronditëse e emocionante, sa tragjike, aq edhe komike. Në të trajtohet një gamë e gjerë problemesh të karakterit psikologjik, social, filozofik dhe universal. Subjekti është i tillë: Në skenën e një teatri ku një trupë aktorësh janë duke bërë prova në një ditë të zakonshme, shfaqen nga kushedi se ku gjashtë personazhe. Kur regjisorja i pyet se përse kanë ardhur, ata i përgjigjen se kërkojnë një autor, sepse një autor tjetër pasi i ka krijuar në fantazinë e tij, i ka refuzuar dhe nuk i ka futur në botën e artit. Natyrisht, një përgjigje e tillë shkakton të qeshura të papërmbajtura tek aktorët dhe regjisorja. Pas këtij reagimi personazhet përgjigjen të fyer dhe të prekur se ata mbartin një dramë tepër të dhimbshme që e kanë brenda vetes dhe e vuajnë, një dramë që merr frymë, flet, lëviz vetë dhe prandaj këmbëngulin që të shfaqet në skenë. Rëndësia Drama ka në qendër një familje: babai, thjeshtra, nëna, biri, vogëlushja dhe djaloshi; është një familje e ngatërruar në një histori tepër interesante dhe tronditëse. Pas rrëfimit të kësaj historie, regjisorja, e emocionuar dhe e ngacmuar artistikisht, vendos që trupa ta luajë dramën në skenë edhe pse mungon autori. Rezultati që përftohet në përpjekje për të vënë në skenë këtë dramë është një përzierje e tragjikes me komiken, e fantastikes me realisten, një situatë humoristike, tepër e veçantë dhe komplekse. Dramën e përmban historia që rrëfehet nga vetë personazhet pjesëmarrëse, kurse komedia vjen nga përpjekja e kotë që kjo dramë të mund të realizohet në skenë sepse personazhet nuk bien dakord me aktorët dhe, madje përfshihen në një konflikt me kthesa humoristike se kush janë më të rëndësishëm, ata, personazhet, apo njerëzit e gjallë. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›