Fajtorë politikë apo kundërshtarë politikë
Midis rrugës së Shën Agustinit dhe Rusos, intelektuali italian - thotë shkrimtari Batista - ka zgjedhur gjithmonë të dytën. Shën Agostini konfeson që ka harxhuar një pjesë të jetës së tij në mëkat e gabime, dhe është impenjuar tërë jetën për të dalë prej tyre. Ruso, në të kundërt, ia atribuonte çdo të keqe shoqërisë, (tjetrit) (Kur u prezantua me filozofët më të famshëm, arriti të kishte konflikt me të gjithë. Të pesë fëmijët e tij përfunduan në shtëpinë e fëmijës, se e pengonin të studionte). Që këtu rrjedh zakoni i kryqëzimit të kundërshtarit, për shkatërrimin e të cilit, çdo mjet bëhet legjitim. Ta shohësh fajin brenda vetes, apo tek tjetri ishte thelbi i ndryshimit mes idealizmit dhe materializmit. Kjo u pasqyrua edhe tek regjimet kapitaliste dhe komuniste. Për materializmin, ku u mbështet edhe komunizmi, ekziston diktatura e proletariatit, që për sinonim ka diktatin, sundimin, imponimin, dhunën ndaj kundërshtarëve. Faji ekziston jashtë vetes, ekziston tek tjetri. Ndërsa, për krishterimin, fe ku u mbështet Evropa Perëndimore, themeli qëndron tek falja e fajeve dhe e mëkateve, një akt që fillon nga vetë individi. Ta shohësh fajin tek vetvetja është hapi i parë për të kuptuar gabimet dhe për t'i ndrequr ato. Krishti ka shprehjen e famshme, ku qytetërimi u mbështet në rrugëtimin e gjatë të civilizimit njerëzor, “kur të qëllojnë, në njërën faqe, kthe edhe faqen tjetër”. Ligjësia e krishterimit është përulësia, të cilën e sheh edhe si hap drejt përsosmërisë. Të jesh i përulur, ta fillosh njohjen nga vetvetja, nga gabimet e tua në përballjen me kundërshtarin, nuk do të thotë ta lejosh atë të të kryqëzojë, nuk do të thotë që kundërshtari ka pronë të drejtën, por është hapi i parë drejt kuptimit të “unit”, me të mirat, pozitivet, të këqijat dhe negativet. Heroi krejt pozitiv apo personazhi krejt negativ, jeton në literaturën e realizmit socialist. Krishterimi, ende mbijeton pasi ka arritur të bëjë një analizë shumë të thellë të natyrës njerëzore. Myslimanizmi ka gjetur një formë tjetër për të treguar përulësinë, përkuljen në tokë. Besimtari i përkulet zotit, dhe të gjithë këtë proces e quan falje. Kur pranojmë gabimet tona, bëhemi të besueshëm, të pranueshëm, bashkëpunues për kundërshtarin. Kur përulemi, ne nënkuptojmë që jemi të gatshëm të ulemi, pranojmë, pohojmë, mirëkuptojmë, dialogojmë, pa fajësuar apriori atë që na qëndron përballë. Krishterimi, Myslimanizmi ende mbijetojnë, pasi kanë arritur të bëjnë një analizë shumë të thellë të natyrës njerëzore. Në këtë përballje ajo që dështoi ishte filozofia komuniste, duke e parë fajin dhe fajtorin tek tjetri. Kjo është edhe një tendencë e politikës shqiptare, ku fajin e shohim tek tjetri. Kjo e ka futur, në një krizë artificiale, atë.
Një tjetër ndryshimi thelbësor mes socializmit dhe kapitalizmit është supremacia e individi, në raport me shoqërinë dhe anasjelltas. Kapitalizmi i dha autoritet individit, si shtysa kryesore e shoqërisë, ndërsa socializmi i dha autoritarizëm absolut shoqërisë që mbyti individin dhe individualitetet. Socializmi sot konsiderohet ideologji e dështuar. Pjesë e kritikës ndaj socializmit është dhuna e shoqërisë ndaj individit dhe përcaktimi i tij, apriori “fajtor”. Agresiviteti, shtypja e individit depersonalizimi i tij, ishte shigjeta ku godiste ajo ideologji. Ky agresivitet, kryqëzimi i kundërshtarit dhe etiketimi i tij apriori si fajtor, është ajo çka ne ende trashëgojmë nga 50 vjet diktaturë, dhe nga ku nuk po mundemi ende të shkëputemi.
“Gjyqi fajtorëve”, “Ngritja e gishtit kundërshtarit”, gjetja e “armikut të brendshëm, apo të jashtëm”, “urrejtja ndaj kundërshtarit”, ”dhunimi i kundërshtarit”, janë pjesë e filozofisë komuniste. Në kulturat demokratike, fajtori përcaktohet me rrugë gjyqësore, me ligj, me fakte dhe dëshmitarë, ndërsa krahu i kundërt politik konsiderohet thjesht kundërshtar. Janë konceptet “fajtor politik”, apo “kundërshtarë politik”, që bëjnë diferencën mes dy regjimeve, demokracisë apo diktaturës. Problemi është, që ende politika shqiptare bie preh e një mentaliteti, ku kundërshtari përcaktohet apriori si “fajtor politik”, pa u vërtetuar faji ligjërisht. Jurisprudenca njeh “prezumimin e pafajësisë”, për sa kohë nuk është vërtetuar faji i të akuzuarit. Në qoftë se, ne duam të reformojmë sistemin e drejtësisë, duhet ta fillojmë nga kjo. Nuk mund të fajësohet askush, pa u vërtetuar juridikisht faji, në rrugë gjyqësore. Në qoftë se ende nuk ndërgjegjësohemi, që askush nuk fajësohet apriori, nuk do të arrijmë dot vendet demokratike, ku ekzistojnë “kundërshtarët politikë”.
Duhet të krijojmë një klimë, në të cilën rivalët nuk konsiderohen armiq, por thjesht kundërshtarë dhe ku faktorët e urrejtjes, janë të margjinalizuar. Nëse do të flasim për shtetin e së drejtës, për të cilën tashmë dëgjojmë të flitet rëndom, si një normalitet të ditës, duhet të kuptojmë edhe thelbin e tij. Shteti i së drejtës nënkupton, që askush të mos dënohet pa gjyq, pa fakte, dëshmitar, prova shkresore, dhe një vendim gjyqësor. Shteti i së drejtës nënkupton, që askush nuk mund të dënohet, qoftë edhe moralisht, me fyerje dhe dënime publike të pabazuara, në fakte dhe argumente ligjore. Ne sot, si një normalitet dëgjojmë akuza për “fajtorë” apriori, kryeministër fajtor, qeveri fajtore, që detyrimisht na sjellin në memorie “gjyqet politike” të 50 viteve diktaturë, ku gjithkush mund të ishte fajtor, pa fakte, gjyqe e vendime gjyqësore. Memoria historike na sjell dënimin e të gjithë shtresës së pasur, që apriori u quajt në atë regjim, hajdut dhe vjedhës të të varfërve. Shumica e kësaj shtrese shoqërore u dënua burgjeve. Memoria historike na sjell dënimin e grupit të deputetëve, që apriori u quajtën tradhtarë të kombit dhe dhjetëra prej tyre u pushkatuan pa asnjë gjyq, ose me gjyqe fiktive.
Të dëgjosh sot analistë të shprehen për “qeveri fajtore”, do të thotë të na kthesh në memorie një mentalitet të rrezikshëm komunist, ku futej në një thes, i njomi me të thatin dhe një grup njerëzish, apo shtresash klasore fajësoheshin dhe dënoheshin pa gjyqe e vendime gjyqësore. Sipas kësaj logjike, nëse Enver Hoxha u quajt kriminel e vrasës, atëherë të gjithë anëtarët e ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, janë apriori kriminelë e vrasës. “Fajtorë kolektivë” është koncept i instaluar nga regjime diktatoriale, naziste apo komuniste. Nazizmi zhduku miliona çifutë, duke i konsideruar fajtorë kolektivë. Në një shtet ligjor dhe të së drejtës, në emër të së cilës bërtitet çdo ditë, nuk ka fajtorë kolektivë. Fajtori ka emër, është individ, që mbart mbi vete përgjegjësinë e veprimeve të tij dhe që i vërteton gjykata, nëse janë të kundërligjshme, apo jo. Është gjykata ajo, që në bazë faktesh jep verdiktin përfundimtar, nëse ai është fajtor. Kur flasim për shtetin e së drejtës, të mos e përdorim si një term politik, elokuencë apo erudicion, por të zbatojmë rigorozisht detyrimet e tij. Por, kjo rrugë e gjatë dhe e vështirë do të fillojë së pari, duke u larguar nga mentalitete të së kaluarës, ku ekzistojnë fajtorët dhe gjyqet politike. Nuk mund të ketë gjuhë dialogu me fajtorin dhe që këtu fillon kriza politike. Vetëm duke çrrënjosur këtë koncept, duke e parë krahun tjetër politik si kundërshtar, do të mund të uleshim në një tryezë dialogu.
Kjo do të shmangë edhe gafat politike, që sjellin automatikisht dhe humbje të besueshmërisë së elektoratit. Në Shqipëri, kundërshtari kryqëzohet, përdhoset moralisht. Çfarë mbetet mbas akuzave të opozitës për shpërdorim posti, korrupsion, nepotizëm në projektin e Bankës Botërore për vijën bregdetare? Pasi vetë zv.presidenti i Bankës Botërore del dhe deklaron, që qeveria shqiptare ka ecur konform të gjitha marrëveshjeve me këtë institucion shumë të rëndësishëm, sa të besueshme janë akuzat e kundërshtarëve politikë? Sa të besueshëm janë opozitarët, kur ngrenë gishtin e akuzës për problemin e përmbytjeve në zonën e nën Shkodrës, kur kriza më e madhe energjetike ka kulmuar në qeverinë socialiste? Ata shndërrohen në “akuzues politikë”, ku thirrjet e bariut për ujkun, treten si të pavlera. Kjo e bën atë forcë të humbasë kredibilitet, dhe t’i zbehet zëri i akuzës. Janë këto akuza të drejta, apo thjesht politike? Le ta shfryjmë tullumbacen plot me akuza flluskash sapuni, sidomos kur ato janë thjesht një mjet për të marrë pushtetin. Mbase do të ishte më e udhës, t’ia lemë gjykatës të vendosë për “fajtorët politikë” dhe të vazhdojmë politikën e dialogut konstruktiv.
Në çrrënjosjen e këtij mentaliteti, një rol të padiskutueshëm luajnë intelektualët, shoqëria civile. Qëndrimi i tyre është deciziv në reformimin e sistemit të drejtësisë, për t’ia besuar asaj fajtorët realë dhe ligjorë.
Intelektualët thotë italiani Batista, të djathtë apo të majtë pak rëndësi ka kjo, janë shndërruar tashmë në figura të parëndësishme, të mbyllur në botën e tyre të sherreve ta vogla rituale, pa asnjë lidhje me realitetin. Nuk duket të ketë ndonjë ndryshim qëndrimi i intelektualëve në Shqipëri. Shoqëria civile shfaqet krejt e pafuqishme dhe inekzistente. Nuk mungojnë konformistët, ata që kanë dalë hapur, në njërin apo në tjetrin krah politik, apo ata të cilët iu shërbejnë regjimeve. Dikush i quan konformistë këta intelektualë, dikush tjetër shprehet se të provosh të tolerosh, apo të “jesh dakord”, nuk do të thotë të heqësh dorë nga idetë e tua, por të kërkosh kompromisin. Me sa duket, është e vështirë të zgjedhësh mes konformizmit, apo kompromizmit. Ende në Shqipëri, ka konformizëm i cili mbyt zërin e individëve, ideologjive, konfrontimeve ideore. Mbase, në këto momente, ajo çka na duhet me shumë, është kompromisi politik. Prandaj, është e rëndësishme që krahët e kundërt politikë, të shihen si kundërshtarë politikë, të cilët për një të mirë të përbashkët do të punojnë për kompromizëm politik, për t'i hapur më pas rrugë dialogut, aq të nevojshëm, sidomos në panorama krizash.