Duka supersticioz, nuk e tregonte emrin e trajnerit
Vetëm një ditë më parë, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nuk pranoi të tregonte se cili do të ishte pasardhësi i Josip Kuzhes në krye të stolit të Shqipërisë. Nga ajo që u perceptua nga fjalët e njëshit të futbollit në Shqipëri, ai nuk donte ta bënte publik emrin e të zgjedhurit pasi druhej se mos e pësonte si me Besnik Hasin apo Këstnerin, për të cilët u tha se çdo gjë ishte gati dhe më pas nuk pranuan të merrnin përsipër detyrën. “Një nga ata trajnerë do të jetë. Ju i keni nxjerrë emrat dhe unë, së bashku me zv/presidentët Kasmi e Nuri si dhe me sekretarin Prodani i kemi takuar. Nuk mund të them se me kë jemi më afër. Sidoqoftë unë besoj se me një nga emrat e lakuar do të firmosim brenda kësaj jave. Me cilin jemi më afër? Ne ishim afër dhe pothuajse e mbyllëm me Besnik Hasin. Ne ishim afër dhe pothuajse e mbyllëm me Këstnerin, madje na tha sa të shkoj që të marr leje dhe erdha. Kështu që, nuk mund të them se cili do të jetë. Se çfarë shkruani ju, është puna juaj. Unë besoj se jemi duke përcaktuar gjërat. Nuk është çështje parash, për paratë me të tërë jemi në ato nivele”, ka deklaruar Duka ditën e martë.