E Diel, 1 Nëntor 2026

Firmos De Biazi, për 2 vite do jetë trajneri kuqezi

SHKRUAN: Jeton Selimi 15-12-2011 13:33

Kontrata e italianit skadon në nëntor të vitit 2013. Trajneri do të përfitojë diku te 200 mijë eurot, plus bonuset e mundshme. 55-vjeçari do të prezantohet të hënën në Tiranë

Xhani De Biazi është zyrtarisht trajneri i ri i kombëtares kuqezi. Pas tratativave të dështuara me Besnik Hasin dhe gjermanin Këstner, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka vendosur që të sjellë në krye të Shqipërisë një trajner italian, i dyti pas Bepe Dosenës. De Biazi ka qenë në luftë të fortë me bashkëkombasin e tij, Marko Berretën, por në fund Duka ka zgjedhur ish-teknikun e Torinos dhe Udinezes. Për De Biazin, kontrata është dy-vjeçare dhe përfundon më 31 nëntor të vitit 2013.

FSHF komunikon zyrtarisht lajmin

Shefi ii zyrës së shtypit në FSHF, Lirim Zalla, pranoi se tashmë fatet e stolit kuqezi janë vendosur. Xhani De Biazi është trajneri i ri. “Po është e vërtetë, De Biazi ka firmosur një kontratë dy-vjeçare me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe të hënën do të jetë në Tiranë për t’uu prezantuar përpara mediave. Presidenti Duka ka qenë në kontakte të vazhdueshme jo vetëm me De Biazin, por edhe me trajnerë të tjerë, por në fund, u zgjodh De Biazi, që ka qenë që në fillim preference numër 1 e FSHF-së,” tregon për gazetën Lirim Zalla. Më pas, shefi i zyrës së shtypit në FSHF nuk tregon detaje financiare, por thotë se për gjithçka mund të bëhet e ditur ditën e hënë. “Nuk më takon mua të jap detaje të tjera të kontratës pasi është drejtoria juridike që merret me këtë punë. Sidoqoftë, këtë mund t’ia kërkoni vetë trajnerit ditën e hënë,” përfundon prononcimin e tij zëdhënësi Zalla.

Cili është Xhani De Biazi

Xhovani De Biazi, është një trajner futbolli, dikur ish-mesfushor. De Biazi e ka nisur karrierën si futbollist te skuadra e Trevizos në sezonin 1974-1975, ku luajti 25 ndeshje dhe shënoi dy gola. Loja e tij e mirë bëri që djaloshi i ri të binte në syrin e drejtuesve të Interit, që e morën në skuadër. Megjithatë, De Biazi nuk do të luajë asnjë minutë dhe një sezon më pas do të transferohej te Rexhiana dhe një vit më pas te Peskara, ku do të luajë nga 24 ndeshje. Në vitin 1978, De Biazi do të firmosë për Breshian, skuadër në të cilën do të aktivizohet deri në sezonin 1982-83, me 171 ndeshje të luajtura dhe 13 gola të shënuar. Pas Breshias, trajneri i ri i kuqezinjve do të luajë për tre vjet me Palermon. 105 ndeshje dhe 7 gola me fanellën rozazi. Pas një rikthimi te Trevizo, skuadra që e bëri të njohur (55 ndeshje, 3 gola), De Biazi var këpucët në gozhdë në moshën 33-vjeçare. Në sezonin 1992-1993, De Biazi emërohet trajner i Pro Vastos dhe deri në vitin 1999, do të drejtojë edhe Kaprin, Kozencën dhe SPAL. Në sezonin 1999-2000, De Biazi merr drejtimin e Modenas, skuadër që e ngjit nga Serie C1, në Serie A, madje arrin ta mbajë në majë të futbollit Italian për një vit dhe në vitin 2003 merr drejtimin e Breshias. Me skuadrën që pati edhe kulmin si lojtar, De Biazi arriti të qëndrojë një vit në A, ndërsa sezonin pasardhës ra në Serie B. Sezonin tjetër merr drejtimin e Torinos dhe arrin ta ngjisë në Serie A, ndërsa shkarkohet pak muaj pas fillimit të kampionatit 2006-2007. Në sezonin 2007-2008, De Biazi bën edhe aventurën e parë jashtë Italisë në krye të Levantes, por problemet financiare që pati klubi spanjoll bënë që ai dhe lojtarët të largohen. Rimerr Torinon, por shkarkohet pasi në 15 javë kishte grumbulluar vetëm 12 pikë. Një vit më pas merr drejtimin e Udinezes duke zëvendësuar Marinon, por pak muajsh Marino do të rimarrë detyrën e tij në dëm të De Biazit. De Biazi është trajneri i dytë italian në krye të kuqezinjve pas aventurës disamujore të Bepe Dosenës.

Italiani: E doja detyrën e

trajnerit të kombëtares

Nuk ka më shumë sesa një rresht e gjysmë koment nga ana e italianit të kombëtares kuqezi, por nga ajo pak gjë mund të kuptosh përse De Biazi ka vendosur që të marrë stolin e Shqipërisë. Ish-trajneri i Breshias, Torinos dhe Udinezes, ka deklaruar për mediat e vendit të tij se kishte kohë që e priste një thirrje nga një kombëtare. “Ajo e komisarit teknik është një detyrë që e kam ndjekur prej kohësh. Dua të bëj një punë të mirë për kualifikimet e ardhshme në Botërorin e radhës,” është shprehur shkurt De Biazi për italneës.it

Viti 1986, De Biazi dënohet për trukim ndeshjesh

Josip Kuzhe kishte një fiksim të vockël: luante kumar, shumë kumar. Këtë gjë e kishin bërë problem në Kroaci dhe lajmet natyrisht erdhën edhe në Shqipëri. Sidoqoftë, përsakohë ai ka qenë trajner i kuqezinjve, nuk është dëgjuar asgjë e tillë për kroatin që deklaronte buzagaz “luaj kumar se nuk do t’i marr paratë me vete në varr”. Por nëse Kuzhe ishte një kumarzhi i thekur, Xhani De Biazi është përfshirë në skandalin e basteve të vitit 1986. Asokohe, Italia pëson një tjetër goditje nga skandali i basteve të paligjshme në futboll. Pas seancave të shumta gjyqësore, Gianni De Biasi, sot trajner i Shqipërisë, u shpall fajtor dhe u dënua me 1 muaj pezullim. Impakti ishte i madh dhe u dënuan rreth 45 drejtues e lojtarë. Realisht, De Biazi nuk kishte ndonjë influencë dhe përfshirja e tij ishte më shumë rastësore, ndaj edhe dënimi ishte fare minimal.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›