E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duke kërkuar Lëkurësin e dikurshëm

Shtëpive të shembura dhe gjithë asaj që ka mbetur prej banesave të Lëkurësit të vjetër u janë drejtuar një grup studentësh të degës së turizmit në filialin universitar të Sarandës. Ata i janë bashkuar udhëtimit në vende të harruara, iniciuar nga fondacioni "Lidia" në Sarandë. Studentët, shumica e të cilëve vijnë nga qytete e zona të largëta të vendit, kanë parë se si një fshat i tërë i gurtë fle në harresën e historisë dhe të sotmes, fare pranë Kalasë së restauruar të Lëkurësit. Përpara gjurmëve të lashtësisë së fshatit të dikurshëm të Lëkurësit, pyetja e vetme e shtruar prej tyre ka qenë: Përse të mos nisë edhe këtu restaurimi? Duke e ndjerë veten miq të monumenteve, është parë shumë e mundshme që rrënojat të rehabilitohen e të kthehen në vlera të vizitueshme, duke u përfshirë, madje, në guidat turistike. Studentët udhëtarë në vlerat e harruara kanë parë se Lëkurësi nuk është vetëm kalaja, por gjithçka që shikon syri përreth. Kjo është një lëvizje që merr shkas nga Lëkurësi, por do të përfshijë edhe një radhë pasurish të tjera të harruara apo të zbehura të trashëgimisë, që gjenden në rajonin Sarandë-Delvinë, e që "Lidia", së bashku me të rinj që ndjehen miq të monumenteve, ka marrë përsipër t‘ua bëjë prezente këtë pasuri atyre që menaxhojnë flukset turistike në këtë rajon. Mandej lëvizja e "Lidia"-s është ka zgjeruar shtratin e vet. Zgjimi i vlerave të trashëgimisë kulturore të rajonit Sarandë-Delvinë, që numëron 115 monumente të kategorisë së parë, ka mbërritur në organizimin e një konkursi, me pikënisje Lëkurësin. Konkurs për fotografinë më shprehëse, për dokumentin më pak të njohur, për poezinë dhe prozën më të arrirë nga Lëkurësi. Edhe kjo, si një mënyrë për të nxitur njohjen, interesimin dhe udhëtimin në vendet e harruara.

Pikëvështrimi ka nisur nga maja më zotëruese mbi Sarandë, nga Kalaja e Lëkurësit, që fsheh edhe një histori qëndrese, përveç vlerave të saj arkitekturore dhe piktoreske. Drejtori i fondacionit "Lidia", Ibrahim Barjami, tha se në konkursin "Lëkurësi-udhëtim në vlerat e harruara" janë përfshirë një masë e madhe njerëzish, përtej parashikimeve, të cilët kanë dorëzuar ese, poezi dhe fotografi të këtij monumenti kulturor dhe historik, të cilat do të vlerësohen nga 2 mijë më 10 mijë lekë dhe do të shpallen fituesit në fund të muajit mars. "Edhe më e rëndësishme se përfshirja e një mase njerëzish në konkursin tonë, shprehet Barjami, është se disa herë më shumë njerëz sensibilizohen dhe "kujtohen" për këto vlera të trashëgimisë sonë dhe rritet interesi për ta çuar më tej njohjen e tyre". Çaste të rralla fotografike, dokumente pak të njohura historike dhe vlera folklorike që lidhen me Lëkurësin në veçanti e me trashëgiminë tonë historike në tërësi, janë disa nga debutimet e deritanishme, kur ende mbeten edhe disa ditë deri në mbylljen e konkursit. Drejtori Barjami thotë se pas mbylljes së konkursit për Lëkurësin, do të qëndrojë i hapur itinerari i udhëtimit në vende të harruara, që kanë nevojë për vëmendjen tonë dhe të shtetit. Të njëjtin privilegj me Lëkurësin do ta kenë Nivica e Qeparoi në zonën e bregdetit dhe Dhrovjani e qyteti i Delvinës në pellgun e Delvinës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›