Dule: Duhen respektuar realisht të drejtat e minoritetit

Për Vangjel Dulen, kryetar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut pas ngjarjes në Himarë vërtetohet se është shumë e rëndësishme që të ndryshohet kursi i politikave. Në një intervistë për "BBC", ai shprehet se nuk ka vend për retorikë boshe dhe shterpë, përsa i përket respektimit të të drejtave të minoritetit, duhet që ato t'i respektojmë de facto.
"Në qoftë se në Himarë nuk do të kishim këtë politikë me ekuivoke që kur tensionohet flasim për bilingualitet, apo për një gjuhë që është folur paralelisht me gjuhën zyrtare e të tjera. Duhet që të kemi një politikë të qartë, konform standardeve të cilat janë të aplikueshme në Evropën e sotme. Aty kemi pjestarë të komunitetit të cilët identifikohen për nga identiteti dhe përkatësia e tyre etnike si pjestarë të minoritetit etnik grek", shprehet ai.
Sipas tij, vrajsa e Arsitiotel Gumajt në Himarë është një krim që u motivua për arsye etnike.
Ai thotë se i duhet dhënë fund një ambienti që stimulon veprime dhe qëndrime të tilla. "Ne jemi shumë të indinjuar dhe u shprehëm e do të vazhdojmë të shprehemi shumë ashpër për autorët e drejtpërdrejtë të këtij krimi, por edhe ata që qëndrojnë me frymën e tyre pas këtij akti", shton Dule.