Topi, letër ngushëllimi Napolitanos për vdekjen e ish-presidentit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi Presidentit të Republikës së Italisë, Xhorxho Napolitano për ndarjen nga jeta të ish Presidentit italian, Françesko Kosiga.
"Me hidhërim mësuam lajmin e ndërrimit jetë të Presidentit Françesko Kosiga.
Ndarja nga jeta e Presidentit Kosiga është një humbje për familjen dhe të afërmit, kolegët dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij.
Presidenti Kosiga, gjatë ushtrimit të mandatit të tij presidencial, dëshmoi vlera dhe devotshmëri ndaj shtetit dhe popullit italian, duke dhënë kështu një kontribut të pazëvendësueshëm në jetën politike të Republikës Italiane", thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Presidentit.
Më tej, zoti Topi thekson se "Ne shqiptarët, veçanërisht për shkak të miqësisë së fortë dhe lidhjes shpirtërore historike me popullin italian, e përjetojmë këtë çast me dhimbje.
Me lejoni që, në këto momente, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal t'ju shpreh ngushëllimet më të thella e të sinqerta njerëzore".