Dule i jep "mësim" maxhoranës se çfarë qeverie duhet të krijojë

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), kërkoi krijimin e një qeverie teknike e cila sipas tij, do të jetë e aftë të përballojë sfidat e shumta integruese të vendit. Kryetari i kësaj partie, Vangjel Dule, u shpreh sot në një konferencë për shtyp se "për shkak të deligjitimimit të përditshëm të zgjedhjeve të 28 qershorit, të cilat nuk ishin as demokratike, as të ndershme, Shqipërisë, që të përballojë me sukses sfidat e shumta integruese i duhet një qeveri teknike. Me këtë tjetërsim të procesit zgjedhor, nuk mund të investohet asnjë projekt afatgjatë qeverisës, pasi duhet një qeveri solide e dalë nga zgjedhje të ndershme”, tha Dule, duke shtuar se "vetëm një qeveri teknike dhe me axhendë të mirëpërcaktuar mund të çojë vendin në zgjedhje të lira dhe të ndershme". Dule vuri në dukje se "një nga problemet kryesore të zgjedhjeve në gjithë këto vite janë komisionet zgjedhore të të gjitha niveleve, të cilat janë tërësisht partiake dhe mbizotërimit të tyre tërësisht mbi ligjin". I pyetur në lidhje me qëndrimin e PBDNJ-së në rast të mosnjohjes së zgjedhjeve nga Partia Socialiste, Dule theksoi se "ne kemi vlerësimet dhe qëndrimet tona politike si parti dhe nuk jemi këtu për të bërë avokatinë e askujt, detyrimi ynë i vetëm është mbrojtja e demokracisë dhe institucioneve ligjore në vend”. Partia për të Drejtat e Njeriut në zgjedhjet e 28 qershorit ishte pjesë e koalicionit “ Bashkimi për Ndryshim” të kryesuar nga Partia Socialiste, si rrjedhojë e një marrëveshjeje parazgjedhore me këtë parti. Ajo arriti të fitojë vetëm një vend në parlamentin e ardhshëm shqiptar.
...